AlbanianSport.com 19/06/2020 21:40
ASNN – Nuk është nga ata që e kafshojnë gjuhën kur flasin, por, përtej një stuhie mediatike, Novak Gjokoviçi këmbëngul: “Asnjëherë nuk e kemi kaluar masën”. Këto fjalë u referohen akuzave mediatike të pak ditëve më parë, të bëra në drejtim të tenistit të njohur serb se nuk ka respektuar distancën dhe nuk respektuar rregullat anti-“Covid-19” gjatë turneut “Adria Tour”.
I mbiquajturi “Nole”, së bashku me yje të tjerë të tenisit, si Dominik Tim dhe Aleksandër Zverev, festuan pjesëmarrjen e parë në një turne tenisi pas periudhës së pushimit, të shkaktuar nga virusi korona, por duke respektuar shumë pak ose aspak, distancimin shoqëror dhe masat e rekomanduara të sigurisë për të shmangur përhapjen e COVID-19.
Në mbrojtjen e tij, Gjokoviçi gjithmonë ka argumentuar se asgjë nuk është bërë pa lejen e autoriteteve shëndetësore serbe. “Unë e di se ka pasur disa kritika sidomos nga Perëndimi, – ka thënë ai: – “Pse kishte një turmë? Pse nuk kishte asnjë distancim shoqëror? Pse po festohet në mes të një epidemie kaq të ashpër? Por, ju e dini, është e vështirë t’u shpjegohet njerëzve që situata është me të vërtetë ndryshe në Amerikë apo Mbretërinë e Bashkuar në krahasim me Serbinë dhe vendet përreth saj.”
“Dhe padyshim që nga dita e parë e organizimit të “Adria Tour” ne kemi ndjekur rregullat dhe masat për të cilat janë rënë dakord nga institucionet qeveritare dhe institucionet e shëndetit publik “, – tha ai.