Gjergj Vyshka 04.04.2015 07:05
Ashtu sikurse është lajmëruar dhe ditë më parë, apo siç është parashikuar dhe në kalendarine aktiviteteve vjetore të vitit 2015, Federata Shqiptare e Notit do të zhvillojë sot dhe nesër Kampionatin Kombëtar të Të Rriturve dhe Të Rinjve.
Garat do të zhvillohen në pishinën me gjashtë korsi të shkollës jo publike “Nobel”, ndërsa në ditën e parë ato do të zhvillohen paradite dhe pasdite. Paradite garat do të nisin në ora 09:00, kurse pasdite në ora 15:00.
Ndërkohë që të dielën do të ketë konkurrim vetëm paradite, teksa garat, pas së cilave do të zhvillohet dhe ceremonia e dorëzimit të kupave, do të startojnë në ora 10:00. Përgjithësisht Federata Shqiptare e Notit i ka marrë të gjitha masat për këtë kampionat, kurse është bërë dhe mbledhja teknike me gjyqtarët, ndërsa tashmë është gjithçka gati për këtë garë, e dyta kombëtare për vitin 2015.