Nga Gjergj Vyshka 25.10.2016 13:25
Pra noti shqiptar nuk po i shpëton maktheve të zgjedhjeve pa probleme. Nuk duhet harruar se më 2007-ën Feim Alliu pati zëvendësuar Ahmet Muçajn mes shumë problemeve në një asamble që është zhvilluar në sallën e konferencave të ish-Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”. Asokohe u cilësuan “zgjedhje me polumbarë”, sepse u bë gjithçka larg mediave.
Ndërkohë, në 2012-ën, Alliu u rizgjodh president dhe vetëm në 2013-ën, u dorëhoq për t’ia lënë radhën atij që duhet të ishte në krye të notit që në nëntor 2012, Agim Çirakut. Si Alliu, ashtu dhe Çiraku, apo tani Danaj, që është përjashtuar nga lista për president, kanë një “shkes”, që është Shpëtim Hoxha. Që tashmë kërkon drejtësi në gjykata për kandidatin e përjashtuar për president.
Federata Shqiptare e Notit, përmes Sekretares së Përgjithshme, Suela Haxhia, ka lajmëruar se në garën për president të notit do të jetë Agim Çiraku dhe Aleksandër Peçi. Kurse për kryesinë e re do të konkurrojnë: Albert Bozhanaj (Klubi Teuta), Enklid Gjini (Nobis), Ilir Ngresi (Shoqata e Veteranëve), Kejda Ushtelenca (Partizani, Tirana, Te Stela), Robert Sedaraj (Tradita A) dhe Ulpiana Shpata (Shoqata Sportive e Ujit).
Mirëpo largimi i Danajt nga kandidimi për president duket se e ka pështjelluar të gjithë atmosferën e asamblesë së notit, ndërsa kërkohet drejtësi në gjykatë.