Gjergj Vyshka 24.12.2016 09:45
Noti shqiptar 85 vjeç! Kaq ka mjaftuar që në mjediset e resortit “Te Stela” të mblidhen të gjithë ata që kanë bërë historinë e këtij sporti në vend nisur më 1931, por ringjallur për së dyti më 1996 e sot vijon të jetë në rrugë të mbarë nën drejtimin e presidentit Agim Çiraku.
Kësaj feste të notit nuk kishin se si t’i mungonin krerët më të lartë të sportit shqiptar që nga Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, tek Drejtori i Sporteve në Ministrinë e Arsimit dhe Sportin, Vladimir Gjonaj e Drejtori i Sportit Elitar në këtë institucion, Arjan Konomi.
Por jo vetëm kaq, por ishin të ftuar dhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, e Sekretari i Përgjithshëm i këtij organizmi, Alfred Tahiraj. Po kështu Presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergji Ruli, Presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, Martin Biba, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Pingpongut, Tonin Binoshi.
Dritan Mezini, një ish-notar, do të bënte hyrjen në këtë ceremoni duke e lidhur sportin e notit që në lashtësi në kohën e Egjiptit për të kaluar në Japoni në shekullin 17-të. Sipas tij, gara e parë zyrtare e notit njihet ajo e Melbërnit më 1857-ën. Federata Botërore e Notit është themeluar më 19 nëntor 1908. E sot Federata Shqiptare e Notit është anëtare e saj.