Gjergj Vyshka 06.12.2015 10:50
Bëhët i pari notar shqiptar që kohën në këtë garë e zbret nën 49 sekonda. Koha e djeshme e fiksuar prej tij ka qenë 48”99 duke e mbyllur përfaqësimin e tij dinjitoz në Netanja.
Sidni Hoxha ka dhënë një tjetër kohë fantastike në Kampionatin Evropian të notit në pishina të mbyllura, që është duke u zhvilluar në Netanja të Izraelit. Në 100 metra stil i lirë i vendosur në baterinë e dytë kualifikuese ai ka dhënë kohën 48”99, teksa ka zënë vendin e dytë, por për fare pak ka mbetur jashtë gjysmëfinales.
I fundit që është kualifikuar ka qenë me kohën 48”51, që do të thotë se Hoxha ka qenë vetëm 48 të qindtat nga i kualifikuari i fundit. Megjithatë suksesi i tij është fakti që është i pari shqiptar që në 100 metra stil i lirë e zbret kohën nën 49 të qindta.
Një vend i parë në kualifikuese në 50 metra stil i lirë dhe një vend i dytë në kualifikuese në 100 metra stil i lirë janë një përfaqësim më shumë se sa dinjitoz në Evropianin e pishinave të mbyllura, por dhe një shenjë që në “Rio de Zhaneiro 2016” ai do të jetë edhe më i suksesshëm.