Gjergj Vyshka 05.11.2016 16:10
Sipas rendit të ditës është bërë verifikimi i përbërjes së mbledhjes nga komisioni i përbërë nga Arjan Fetishaj, Feim Alliu dhe Eduard Cane. E teksa delegatët janë thirrur një e nga një sipas listës, Altin Karalli dhe Besmir Lulaj nuk kanë shkuar të votojnë, Danaj ka kërkuar me forcë që të futet në rendin e ditës mocioni i mosbesimit dhe kërkesa për shtyrjen e Asamblesë.
Gjë që nuk ka ndodhur, në një kohë që Danaj ka bërë një paraqitje të të gjitha asaj që ka ndodhur në prag të këtyre zgjedhjeve. “Nëse duhet ta vazhdojë kjo asamble, apo duhet të shtojmë në rendin e ditës kërkesën për shtyrjen e saj sepse ka shkelje, jeni ju që e vendosni, – ka thënë ai. – Janë 13 shoqata që kanë kërkuar këtë shtyrje, që nga Flamurtari, Jon Vlorë, Tirana Delfina Sport e me rrallë.”
“Sa për karrierën time kam luajtur që në fëmijëri me paratërinjtë, të rinjtë dhe një vit me Flamurtarin të rritur, – ka vijuar Danaj. – Kam mbaruar shkollën e Marinës. Dhe kam vazhduar me notin sepse kam një fëmijë që tashmë është Amerikë që është marrë me të. Sinqerisht që nuk e kisha ambicie të kandidoja për president. Erdhën disa miq ma kërkuan dhe vendosa që ta bëja.”
“U mundova që me disa sponsor të ndërtoja një program ambicioz për notin, – ka theksuar kandidati për president të FSHN-së. – Më 4 tetor kanë ardhur njoftimet dhe deri më 16 tetor ka qenë afati i fundit i dorëzimit. Kam pasur disa mangësi në kurrikulumin tim që më pas i plotësova. Por këtu ka shkelje sepse lista e anëtarëve që do të votojnë nuk është bërë e ditur.”
“Mungojnë procedurat e programet e gjithçka është gri. Ta shtyjmë këtë Asamble dhe të bëjmë fushatë e të shpallim programet. Jemi ne që kemi krijuar këtë situatë të konfliktualitetit prindër-trajner-fëmijë e noti nuk është në gjendje të mirë. Ndaj bëni zgjedhje të rregullta dhe jo të deformuara”, – ka përfunduar Danaj.