Gjergj Vyshka 01.10.2016 12:30
Noti shqiptar ka caktuar ekipin kombëtar, i cili do të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Pishinave 25-metërshe në Kanada, nga data 6, deri më 11 dhjetor 2016 në Uinsdor. E për këtë qëllim, sipas njoftimit që ka shpërndarë Sekretarja e Përgjithshme e Federatës Shqiptare të Notit, Suela Haxhija, është mbledhur Komisioni Teknik, që ka bërë dhe një analizë 6-mujore të notarëve në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare.
“Meqë kjo veprimtari në pishina gjysmë-olimpike nuk është kualifikues për ndonjë eveniment të madh, atëherë është vendosur që t’u jepet shansi notarëve që stërviten në Shqipëri”, – ka thënë Haxhija, duke iu referuar vendimeve të Komisionit Teknik. Madje përzgjedhja është bërë me pikët e FINA-s, të grumbulluara në dy garat më të mira të zhvilluara prej tyre në 6 muajt e fundit. Dhe për femra notaret më mirë me pikët FINA ishin Alesia Neziri (1082), Ledia Allaraj (1077) dhe Diana Basho (1065).
Kurse për meshkuj Franc Aleksi 1363 pikë FINA, Frenc Bërdaku 1300 pikë FINA dhe Deni Baholli 1266 pikë FINA. Në përfundim, edhe duke pasur parasysh se Shqipëria ka tre ftesa për sportistët e saj në këtë Botëror, Komisioni Teknik vendosi që të jenë dy meshkuj dhe një femër. Dhe ata do të jenë Alesia Neziri, Franc Aleksi dhe Frenc Bërdaku, që do të drejtohen nga trajneri Arjan Fetishaj.