Gjergj Vyshka 06.04.2015 14:20
Emin Lishi, kryegjyqtari i garave, në 70-vjetorin e lindjes është nderuar nga Federata Shqiptare e Notit me Çmimin e Karrierës. Sigurisht që Lishi i ka dhënë sportit shqiptar, në mënyrë të veçantë notit dhe hipizmit. Kurse vlerësimi i djeshëm ka ardhur nga presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku dhe sekretarja e përgjithshme e Federatës Shqiptare të Notit, Suela Haxhija.
Sepse një figurë si Emin Lishi e meritonte një vlerësim të tillë, sikurse kishte ardhur ditë më parë për Sulejman Podën, tashmë nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, Mjeshtër i madh i Punës. Ndërkaq, Teuta tashmë është një e vetme. Bashkimi i Teutës me Teuta Swimming, por dhe Tirana Delfina Sport kanë bërë një skuadër të vetme, e cila ka konkurruar denjësisht.
Madje me të rinjtë, për shkak të një përllogaritje jo të mirë nga gjyqtaria, Teuta e Gjergji Ngresit ishte kampione. Por më pas, në një llogaritje të dytë, u rishpall Tirana. Përtej kësaj Teutën tashmë kanë nisur ta vlerësojnë si një skuadër, e cila shumë shpejt do të jetë një rival i fortë. E kjo jo vetëm për garat verore, por dhe ato dimërore, sepse tashmë një pishinë e mbyllur është e gatshme për të pritur aktivitetet dimërore në Durrës.