Nga Bashkim Aliraj* 03.04.2015 07:55
Trajneri i njohur i notit shpreh konsideratat e tij për nivelin: “Mendoj se Federata për nivelin e kualifikimit duhet të marrë për bazë rezultatet”.
Pa dyshim që përmirësimi i bazës materiale të notit, ngritja e pishinave me ujë të ngrohtë në Tiranë dhe Durrës, kanë ndikuar mjaft në rritjen e cilësisë sportive sidomos në moshat e vogla. Por infrastruktura në not mbetet akoma problem, sidomos në qytetet me traditë si Vlora, Shkodra, Saranda etj., sepse notarët në muajt e dimrit nuk kanë se ku të stërviten. Problem mjaft i rëndësishëm për ecurinë e notit është niveli dhe kualifikimi i trajnerëve. Sepse nga aftësitë, puna dhe niveli i tyre varen dhe rezultatet e larta. Përvoja në vendin tonë ka treguar se ka trajnerë në not, që, edhe pse kanë punuar në kushte të vështira (det të hapur, apo liqen), kanë arritur rezultate të mira.
Kjo ka ardhur si rezultat i pasionit e përkushtimit në stërvitje nga notarët dhe trajnerët. Trajnerët me punën e tyre, dikush më shumë e më pak, kane hedhur themelet e shëndosha të notit shqiptar. 2-3 vitet e fundit rezultatet me fëmijët dhe me grup-moshat kanë ecur shumë. Por duhet të pranojmë se ato, sidomos me të rinjtë e te rriturit, janë mbrapa. Akoma niveli dhe cilësia e stërvitjes nuk i përgjigjet kërkesave të kohës. Mendoj se trajnerët në radhë të pare duhet te thellohen në kualifikimin e tyre. Kjo u theksua dhe në analizën vjetore të notit, që u zhvillua më 21 mars të këtij viti në Tiranë.
Trajnerët nuk duhet të mbeten vetëm në njohuritë e fituara në shkollë, por duhet të studiojnë vazhdimisht. Ngritja tekniko-profesionale e tyre duhet të jetë detyrë e përhershme. Trajneri duhet të ketë njohuri të thella për notin. Kjo arrihet duke shfrytëzuar literaturën në vend dhe atë të huaj. Mendoj se nuk është vetëm diploma, apo kualifikimi i tyre, ato që bëjnë ndryshimin midis trajnerëve, por puna këmbëngulëse dhe vendosmëria për fitoren. Të luftojmë rutinën dhe formalizmin në stërvitje, njëanshmërinë që vihet re.
Për shembull, ne trajnerët shpesh e pranojmë rëndësinë e përgatitjes së gjithanshme fizike të notarit, por kur vjen puna në praktikë atë e nënvlerësojmë ose e zhvillojmë formalisht. Por përgatitja fizike është kriter bazë për të arritur rezultate të larta në not. Pa të notari s’mund që të pretendojë për nivele të larta. Para disa ditësh pyeta një notar “kampion” dhe rekordmen me moshat 14-15 vjeç, shtatlartë: “A bën pak përgatitje fizike?”, “ Po – më tha. – bëj pompa në shtëpi”. E kishte fjalën për ulje-ngritjet me forcën e krahëve në tokë. “Po tjetër, çfarë bën?”. “Bëj fizkulturë në shkollë”, më tha. Kështu, në këtë mënyrë mendoj se nuk mund të arrijmë rezultate të larta.
Përgatitja fizike e notarit është art me vete dhe ajo nuk mund të reduktohet aq thjeshtë e të konceptohet kaq ngushtë. Notari, përveç përgatitjes së gjithanshme fizike, ka nevojë dhe për përgatitjen fizike speciale. Trajnerët, pas 5-6 apo 10 vjetësh stërvitje e ne vazhdim, duhet që të kualifikohen nga Federata Shqiptare e Notit. Ata sipas aftësive dhe rezultateve duhet të marrin kategorinë e tretë, të dytë dhe të parë si trajner. Ai që është më i zoti dhe i aftë le të marrë dhe titull shkencor. Nuk është e drejtë që trajneri punon disa vjet dhe nuk merr asnjë kategori, ose pa kategori fare caktohet trajner në ekipin kombëtar.
Këtë duhet që ta bëjë më mirë dhe Këshilli i Trajnerëve të notit pranë Federatës, por ky këshill fatkeqësisht ka 6-7 vjet që s’mblidhet dhe nuk funksionon. E kërkuam këtë gjë dhe në mbledhjen e fundit, por na u tha nga drejtuesit e Federatës së Notit që e kemi zgjedhur kryetarin e Këshillit të Trajnerëve. E drejtë nuk është, sepse Këshillin e Trajnerëve e zgjedhin trajnerët dhe kështu ka qenë historikisht. Sepse edhe statusi i Federatës Shqiptare të Notit kështu e përmban. Po të punonte mirë Këshilli i Trajnerëve dhe të dëgjohej zëri i tij do të lehtësonte shumë edhe punën e Federatës së Notit. Mendoj se Federata për nivelin e kualifikimit të trajnerëve duhet të marrë për bazë dhe rezultatet e notarëve.
Trajner nuk je, por bëhesh me punë e përvojë të gjatë. Ne kemi trajner të mirë e me përvojë që kane bërë kurse kualifikimi dhe jashtë vendit dhe ndaj tyre Federata Shqiptare e Notit duhet të ketë më tepër besim. Seminaret me trajnerët e huaj janë të nevojshme e të domosdoshme, por ato të bëhen sidomos për problemet më të rëndësishme që kanë të bëjnë me procesin stërvitor, me të rejat e shkencës dhe teknikës në not. Sepse ka pasur raste si para disa vitesh që një trajner i huaj italian na fliste se si notari e lëviz krahun mbi ujë në stilin shpinë, apo atë të lirë. Gjëra që për ne janë të njohura e që u ka ikur koha.
Trajnerët tanë nuk janë aq pa nivel sa të mos dinë gjërat bazë dhe elementare të këtij sporti. Këta trajnerë të huaj, me kushtet që kemi ne në not për stërvitje, sidomos në qytetet e lartpërmendura, jo vetëm që nuk do të arrinin rezultate të mira, por nuk do të denjonin fare të punonin. Federata, në bashkëpunim me Komitetin Olimpik Shqiptar, duhet të bëjë më tepër edhe për specializimin e trajnerëve jashtë shtetit, sidomos atyre të rinjve që kanë rezultate të mira. Nëpërmjet kurseve 2-3 mujore, apo 6-mujore, ajo të bëjë kualifikimin e tyre siç veprohet dhe në sektorë të tjera. Gjithashtu me të rejat e shkencës në not, ajo duhet të ushqejë vazhdimisht trajnerët e specialistët e notit.
* Trajner i Merituar
Shoqata Jon-Vlorë