AlbanianSport.com 04.01.2015 08:45
ASNN – Në fundin e muajit gusht të vitit të kaluar, e përditshmja sportive shqiptare, “Gazeta e Sportit”, ka publikuar lajmin që vinte nga Bostoni. Notarja korçare, Filipa Zheku, absolutisht ka qenë zbulimi i vitit të kaluar si një sportiste më shumë se cilësore. Një vit më parë ka qenë 16 vjeç, ndërkohë që në këto momente akoma nuk ka mbushur 17 vjeç dhe vijon të rritet nga dita në ditë me rezultatet e saj të larta.
Verën e kaluar Zheku mbërriti në Korçë sepse është shqiptare dhe deklaroi që dëshiron që të konkurojë në eventet më të mëdha evropiane dhe botërore me flamurin kuqezi. Verën e këtij viti pritet që Zheku të marrë pjesë në të gjitha disiplinat e notit në Shqipëri, ndërkohë që rezultatet e saj krahasuar me notaret shqiptare janë shumë të larta.
Madje, për më tepër për moshën që ka, mund të quhet absolutisht një “kampione e padiskutueshme”. Një “yll” në not i është shtuar Shqipërisë dhe sigurisht që Federata e Notit e ka pranuar me dëshirën më të madhe që një notare e këtij niveli të konkurrojë për ngjyrat kuqezi.