AlbanianSport.com 04/08/2018 20:35
ASNN – Në Kampionatin Evropian të Notit, që po zhvillohet në Gllasgou të Skocisë, është shënuar një rekord i ri shtetëror për Kosovën nga notarja e talentuar Eda Zeqiri, e cila është pjesëmarrësja më e re në kampionat, për herë të parë në histori, me vetëm 13 vjeç.
Veç Edës, të shtunën, janë paraqitur edhe notarët Fjorda Shabani, Dren Ukimeraj dhe Dion Kadriu. Vajzat morën pjesë në disiplinën 50 metra shpinë, ku 13-vjeçarja Zeqiri e arriti kohën 30 sekonda e 95 të qindtat, që është rekord i Kosovës, pasi koha e vjetër ishte 31 sekonda e 56 të qindtat.
Paraqitje të mirë pati edhe Fjorda Shabani, me kohën 31 sekonda e 17 të qindtat, që është përmirësim i rezultatit personal. Ukimeraj dhe Kadriu u paraqitën në disiplinën 100 metra bretkosë. Ukimeraj erdhi në finish me kohën 56 sekonda e 69 të qindtat, kurse Kadriu 56 sekonda e 86 të qindtat.
Këto janë kohë më të dobëta se koha e tyre personale. Zeqiri u rendit në vendin e 47-të nga 49 pjesëmarrës, kurse Shabani në të 48-in nga 49 pjesëmarrës. Ukimeraj ishte i 81-ti nga 83 gjithsej, kurse Kadriu i 82-ti nga 83.