Gjergj Vyshka 08.12.2016 09:45
Deni Baholli ka dhënë një tjetër rekord kombëtar në Kampionatin Botëror të Të Rriturve në Pishina të Shkurtëra, quajtur ndryshe 25-metërshe, që është duke u zhvilluar në Uindsor të Kanadasë. Pikërisht në 200 metra bretkosë ai ka përmirësuar rekordin e tij, të cilin e kishte në kohën 2’22”65.
E dje në Kanada ka fiksuar kohën 2’22”42, ndërsa është renditur i 51-ti mes 63 konkurrentëve, kurse në baterinë e dytë eliminatore ka zënë vendin e 7-të mes 10 garuesve. Ndërkohë, në 100 metra e përzier, Kenet Libohova do të fiksonte kohën 1’02”90 dhe renditej i 73-ti mes 87 garuesve.
Në të njëjtën garë, në baterinë e 3-të eliminatore do të zinte vendin e 6-të mes 10 garuesve. Për femra, fillimisht është marrë pjesë në stafetën 4×50 metra e përzier, atje ku përfaqësuesja kuqezi e notit ka fiksuar kohën 2’02”83, ndërsa ka zënë vendin e 31-të mes 34 garueseve dhe, në baterinë e dytë është në vendin e 8-të mes 10 konkurrenteve.
E fundit për ditën e tretë në Botërorin kanadez ka qenë Diana Basho, e cila ka garuar në 50 metra flutur, ndërsa ka fiksuar kohën 32”97. Është e 71-ta midis 77 garuesve dhe në baterinë e dytë eliminatore e 10-ta, pra, e fundit midis 10 konkurruesve. Kjo ishte edhe dita e tretë e kuqezinjve në Botërorin kanadez.