Gjergj Vyshka 05.11.2016 08:50
Agim Çiraku është përsëri presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, por Asambleja Zgjedhore, e cila dje është zhvilluar në mjediset e Resortit “Te Stela”, nuk i ka shpëtuar tensioneve. Ishte e parashikueshme një situatë e tillë nisur dhe nga firmosja e kërkesës së 14 shoqatave për shtyrjen e Asamblesë Zgjedhore, sepse kishte një sërë shkeljesh dhe për më tepër ishte përjashtuar kandidati për president Sadrit Danaj.
E kuptohet që situata nuk është normale kur shihej një rrallë të gjatë përpara derës së sallës ku do të zhvillohej asambleja, një tavolinë e vendosur përpara, e cila bënte verifikimin e delegatëve sipas listës emërore nëpërmjet kartave të identitetit. Jo vetëm kaq, por situata tensionohej ende pa nisur Asambleja, sepse si jashtë, ashtu dhe brenda ishin forcat e sigurisë private të firmave “ITNV” Security dhe “Pelikan Security”, a thua se aty do të nxirreshin pistoletat e do të bëhej “gjaku lumë”.
E për çfarë, për një vend honorifik siç është ai i presidentit të një Federate, që ende në Shqipëri një pjesë e mirë e atyre që janë në krye të këtyre institucioneve sportive e konsiderojnë të përjetshëm. Parë kështu Asambleja Zgjedhore e Notit është zhvilluar mes dallgësh shumë; në një anë një pjesë që kërkonte shtyrjen e tyre deri në prishje dhe një pjesë tjetër që kërkonte të mbaronte punë sa më shpejt.
Pa shpallje platformash, por thjeshtë duke hedhur fletët në kuti e duke numëruar e më pas uruar fituesin e humbësi që ikën gjithnjë i zhgënjyer. Ishte njëra nga Asambletë e Federatave të Sporteve Olimpike, kurse ajo që vjen më pas do të jetë një furtunë e vërtetë në të gjitha sallat zgjedhore. Sepse jemi shqiptar e kërkojmë të mbajmë e të zgjidhemi me zor dhe atëherë kur nuk na takon.