Gjergj Vyshka 11.12.2016 10:25
Dje në Uindsor të Kanadasë ka përfunduar Kampionati Botëror i Notit për Të Rritur në pishinat e mbyllura 25-metërshe në të cilën ka marrë pjesë dhe kombëtarja jonë. Tanët janë përfaqësuar nga Franc Aleksi, Frenc Berdaku, Alesia Neziri, Kenet Libohova, Diana Basho, Deni Baholli, Kejsi Delli dhe Ledia Allaraj. Por pikërisht kjo e fundit, edhe për shkak të moshës së vogël, nuk ka marrë pjesë në asnjë garë. Ndërkohë kuqezinjtë e kanë mbyllur Botërorin me 3 rekorde të tjera kombëtare, që në total janë 6 rekorde kombëtare. E 3 prej tyre janë pikërisht prej Deni Bahollit, i cili në 50 metra bretkosë ka realizuar kohën e re 29”85, duke u renditur 75-ti mes 104 pjesëmarrësve.
Ndërsa e veçanta është se ka zënë vendin e parë në baterinë e 3-të eliminatore, ndërsa thyen rekordin që mbante Sidni Hoxha me kohën 30”08. Po kështu Kenet Libohova ka arritur në rekordin e dytë kombëtar, teksa ka përmirësuar kohën në 200 metra shpinë me 2’13”44. Një rekord për të rritur e për të rinj, të cilin e mbante po vetë në kohën 2’17”31. Me këtë rezultat është i 48-ti mes 59 konkurrentëve, ndërsa ka zënë vendin e 3-të në baterinë e parë eliminatore. Dhe rekordi i 3-të kombëtar i ditës së fundit të botërorit për tanët ka ardhur në stafetën 4 x 100 metra e përzier për meshkuj me kohën 4’06”95. E mbante Tirana me 4’14”40. Shqipëria në këtë stafetë ka zënë vendin e 21-të mes 23 pjesëmarrësve.
Në baterinë e 3-të eliminatore është në vendin e 9-të mes 10 konkurrentëve. Sakaq, në 400 metra stil i lirë për femra, me kohën 4’54”64, Diana Basho është në vendin e 52-të mes 60 konkurrentëve. Dhe e 5-ta mes 10 garistëve në baterinë e parë. Por në të njëjtën garë Alesia Neziri nuk e nis konkurrimin e saj. E megjithatë, në 50 metra shpinë me kohën 33”37 është në vendin e 74-t midis 86 konkurrentëve, kurse në baterinë e 3-të eliminatore, e 10-ta midis 10 garuesve. Kejsi Delli, në 100 metra bretkosë, me kohën 1’26”06 do të zinte vendin e 57-të mes 61 garuesve, ndërsa në baterinë e dytë është e 7-ta mes 8 garuesve.
Sërish Alesia Neziri, në 50 metra stil i lirë, me kohën 29”35 do të jetë e 101-ta mes 127 garuesve dhe e 10-ta mes 10 konkurrentëve në baterinë e parë eliminatore. Në 1500 metra stil i lirë Frenc Berdaku me kohën 16’37”77 do të zinte vendin e 42-të mes 44 konkuruesve dhe në baterinë e parë eliminatore është i dyti mes 3 konkurrentëve. Kejsi Delli në 200 metra bretkosë me kohën 3’07”74 do të ishte e 37-ta mes 42 garuesve, si dhe e dyta midis 3 konkurrentëve në baterinë e parë eliminatore. Dhe Franc Aleksi, në 100 metra stil i lirë, me kohën 55”58 do të zinte vendin e 127-të mes 157 garuesve, si dhe vendin e 8-të mes 10 garuesve në baterinë e 3-të eliminatore.
Në të vetmet stafeta që tanët për meshkuj nuk morën pjesë ishte 4×50 metra stil i lirë dhe 4×50 metra e përzier. Përgjithësisht një botëror i mirë për notin shqiptar për kushtet në të cilat e bëjnë këtë sport.