Gjergj Vyshka 05.11.2016 10:40
Agim Çiraku fiton garën e tij presidenciale me një rezultat të thellë 10-0 ndaj kundërshtarit Aleksandër Peçi, kurse Sandrit Danaj, për mospërfshirjen e kërkesës së tij për shtyrjen e zgjedhjeve, largohet së bashku me firmëtarët e mocionit. Në fakt ende nuk është kuptuar se si kandidati për president i përjashtuar nga lista e votimit, Sadrit Danaj, ka qenë i pranishëm në sallë.
Por dhe kur ka qenë i pranishëm është kërkuar të nxirret jashtë nga policia. Nuk mungojnë replikat mes tij e ish-presidentit të Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku. “Je i kundërligjshëm, ke këtu njerëz me interesa të ngushta, por duhet demokraci dhe të zgjidhet gjithçka hapur. Një zgjedhje që t’i bëjë mirë notit”, ka thënë Danaj, që të tjerë jo pak i kanë kujtuar dhe të kaluarën e tij të hershme, që duket se e ka penalizuar për të qenë kandidat për president i notit shqiptar.
E në krah të Danajt janë dhe Altin Karalli, përfaqësuesi i Flamurtarit, por dhe Besmir Lulaj, përfaqësuesi i Jon Vlorë. Pa harruar dhe firmëtarët e sidomos trajneri i Jon Vlorës, Bashkim Aliraj, të cilin e kanë përjashtuar nga e drejta për të votuar. “Kam 30 vjet trajner dhe nuk ma heq njeri të drejtën për të votuar”, thotë Aliraj, ndërkohë që nuk është lejuar dhe përfaqësuesi i Big Marketit të hyjë në sallë. E kjo i ka revoltuar më shumë ata që kërkonin që këto zgjedhje të shtyheshin.