Gjergj Vyshka 03.11.2016 14:25
“Me 4 Nëntor 2016 zhvillohet Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore e Federatës Shqiptare të Notit tek “Te Stela Resort”. Dy ditë para këtij eventi të madh për notin shqiptar askush nuk e di cilat janë Shoqatat dhe Klubet që do të marrin pjesë me të drejtë vote, me siguri disa janë hequr e disa janë shtuar. (Mendoni sikur të hyhet në zgjedhje parlamentare pa ditur partitë që konkurrojnë). Pjesëmarrësit me të drejtë vote të propozuar nga Klubet dhe Shoqatat sportive nuk e dinë as vetë nëse do të votojnë, pasi nuk ka as lista të votuesve dhe as njoftim nga Federata Shqiptare e Notit. (Mendoni sikur të bëhen zgjedhjet parlamentare pa ditur listën e votuesve).
Nuk ka njoftim për komisionet që përjashtuan kandidatin për president të Federatës Shqiptare të Notit, si dhe ata kandidatë për anëtar të Komitetit Ekzekutiv të Federatës që u propozuan nga Shkodra deri në Sarandë. As ndonjë komision paraprak zgjedhor për fletën e votimit, apo elemente të tjerë zgjedhor. (Mendoni sikur zgjedhjet parlamentare të bëhen pa fletë votimi e pa komision zgjedhor). Ka shumë shkelje të Statutit të Federatës dhe mungesë e informimit të anëtarëve etj., etj., etj. E nderuar zj. Ministre, Drejtues të KOKSH-it, që mund dhe duhet të jeni prezent me përfaqësuesit tuaj në këtë Asamble të rëndësishme zgjedhore, mos lejoni që noti të mbytet nga këto veprime.
Kujdes!! Mund të ndahet noti në dy Federata, mund të ketë mocione mosbesimi dhe procese gjyqësore pafund. Më e keqja ditën e Asamblesë gjërat do të kërkojnë t’i mbyllin me forcë, “dajak e kobure” dhe “badigardë”, siç ka qenë zakon edhe herët e tjera, Ju lutemi, mos bëni sikur nuk e dinit se Kandidati për President është përjashtuar, janë përjashtuar kandidatët për KE. E mos bëni sikur nuk e dini se në zyrat tuaja keni një kërkesë për shtyrjen e kësaj Farse Asamble të firmosur nga 14 anëtarë të FSHN, të cilët nuk janë dakord me sa po bëhet. Mos lejoni që pakica me hile dhe terr të fitojë pasi duhet që Noti të fitojë, notarët të jenë të sigurt se dikush po punon e mendon për ata.
Manipulimi që në nisje, i zgjedhjeve, është premisë e sigurt e përjashtimit të kundërshtarëve, e persekutimit të notarëve dhe trajnerëve “armiq”. Me shpresë se kjo thirrje do të mirëkuptohet si një alarm për të drejtën, transparencën e prosperitetin e Notit Shqiptar po bëjmë publike në medie shqetësimin tonë”, kanë thënë në letrën e tyre përfaqësuesit e Nobisit, Partizanit, Shoqatës Murriqi, Shoqatës Iliria, Shoqatës Ventus, Te Stela, Tradita, Jon Vlorë, Flamurtari, Butrinti, SHNS, Tirana Delfina Sport dhe Uillson.