AlbanianSport.com 06.05.2016 08:45
ASNN – Të mërkurën, më 18 maj 2016, në Bazel të Zvicrës, Liverpuli dhe Sevilja do të luajnë për trofeun e Ligës së Evropës. Anglezët dhe spanjollët kanë arritur të triumfojnë në ndeshjet e kthimit të gjysmëfinaleve, duke siguruar biletën për në finalen e Bazelit.
Kështu, trofeu i Ligës së Evropës do të diskutohet midis Liverpulit dhe Sevijes. Të dyja skuadrat kanë përmbysur rezultatet e ndeshjeve të para duke arritur të kualifikohen për në finalen e 18 majit që do të luhet në Bazel.
Liverpuli ka eliminuar Vijarealin, teksa ka fituar 3-0, në takimin e sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Anglezët e trajnerit Jurgen Klop kanë arritur të përmbysin humbjen 0-1, të pësuar në sekondat e fundit të ndeshjes së parë.
Që në minutën e 7-të, vjen një autogol i Brunos. Në pjesën e dytë, Starrixh dhe Lalana i çojnë në 3 shifrat e golave për Liverpul duke ekzaltuar të gjithë të pranishmit në “Enfilld Roud”.
Në çiftin tjetër Sevija ka fituar 3-1 me Shahtjorin e Donjeckut. Ndeshja e parë ishte mbyllur në barazim 2-2 dhe spanjollët ishin disi më të favorizuar. Kështu, për të tretin vit radhazi, Sevija ndodhet në finalen e Ligës së Evropës, ndërsa e ka fituar 4 herë këtë trofe kontinental.