AlbanianSport.com 05/03/2024 19:55
ASNN – Kupa njeh dy gjysmëfinalistet e para. Egnatia nuk gabon përballë Laçit, Kukësi shtang Partizanin në kryeqytet. Kupa e Shqipërisë ka luajtur të martën takimet e kthimit të dy çifteve të para të çerekfinaleve, duke njohur edhe dy gjysmëfinalisten e para. Pasdreke ka qenë Egnatia që ka siguruar e para biletën për në gjysmëfinalen e këtij edicioni të Kupës së Shqipërisë, duke eliminuar Laçin, ndërsa në mbrëmje, Kukësi ka shtangur Partizanin, duke e eliminuar pas goditjes së 11-metërshve.
Kështu, Armando Cungu ka dështuar në debutimin e tij në stolin e Laçit, pasi Egnatia e siguron me spektakël gjysmëfinalen. Duket se fituesja në fuqi do të kërkojë deri në fund të mbrojnë trofeun. Rrogozhinasit kanë arritur një rezultat spektakolar mesditën e kësaj të marte, teksa, në “Arena Egnatia” kanë mundur bindshëm kurbinasit, me rezultatin 3- 1, duke siguruar kështu, me rezultatin e përgjithshëm, 4-1, gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë.
Ndërkaq, më vonë, Kukësi ka triumfuar në “Arenën e Demave”, teksa verilindorët kanë eliminuar Partizanin nga Kupa e Shqipërisë dhe tashmë janë gjysmëfinalistë, por vetëm pas goditjeve të 11-metërshve. Ndeshja e parë mes tyre kishte përfunduar me fitoren minimale të Partizanit, por Kukësi i mbylli 90 minutat të martën me fitorej 1-0, ku në minutën e 21-të ishte Hasaj i cili shënoi golin e vetëm të sfidës. Por skuadra e trajnerit Bledar Devollit triumfoi 5-3 në goditjet e 11-metërshve ndaj të kuqve për t’u kualifikuar.