Gjergj Vyshka 24.02.2017 08:45
Këshilltari i presidentit të Federatës Botërore të Basketbollit, Lubomir Kotleba, ka pranuar që të paktën gjoba nuk do të ketë më. Një sy “qorr” dhe një vesh “shurdh”. Kështu ka bërë këshilltari i presidentit të Federatës Botërore të Basketbollit, Lubomir Kotleba, me sallën sportive të Parkut Olimpik. Sepse e ka kaluar dhe i ka dhënë viston që mund të bëhen ndeshjet e kombëtares së basketbollit, por nuk është për veprimtari madhore ndërkombëtare të sportit të koshit, aq shumë të ëndërruar nga drejtuesit më të lartë të Federatës Shqiptare të Basketbollit. Në fakt prej shumë vitesh basketbolli shqiptar vuan infrastrukturën e rrënuar.
Qendra e re Olimpike e ndërtuar pranë ish-Kompleksit “Dinamo” është drejt përfundimit dhe për Shqipërinë është mjedisi më i mirë i sporteve të sallave. Ky është një lajm i mirë edhe për basketbollin, por jo vetëm, në të mund të organizohen kampionatet e volejbollit, futbollit të sallës, mundjes, peshëngritjes e me radhë. Në përfundim të vëzhgimit të këtyre mjediseve, vëzhguesi i FIBA-s, ka shumë kritika dhe vetëm një lajm pozitiv ndoshta, që Shqipëria mund të zhvillojë ndeshje në këtë impiant pa u shoqëruar më me gjoba për mosplotësim standardesh. “Kur e pashë nga jashtë mbeta i habitur sepse ishte diçka shumë e bukur”, – ka thënë vëzhgues i FIBA-s, Lubomir Kotleba.
“Më pas në brendësi ka një sërë mangësish dhe kjo është një surprizë jo e mirë, – ka vijuar zyrtari i FIBA-s. – Megjithatë sa i përket gjobave dua të theksoj se FIBA nuk vendos gjoba, ajo është një organizatë fleksibël. Sigurisht që përdorimi i impianteve do të jetë i kufizuar. Por gjithsesi ju vazhdoni të luani ndeshje me skuadrën kombëtare dhe do të vazhdoni ta bëni një gjë të tillë.” Ndërkohë që sa i përket dëshirës së Federatës Shqiptare të Basketbollit për të zhvilluar në Shqipëri veprimtari ndërkombëtare, qoftë edhe moshash, Kotleba nuk ka ngurruar që, ndonëse me doza diplomatike, ta refuzojë publikisht.
“Përsa i përket organizimit të veprimtarive ndërkombëtare, po e përsëris se për Shqipërinë do të jetë e vështirë që të presë ndonjë eveniment të rëndësishëm”, – u shpreh Kotleba. Sa i përket inaugurimit të kësaj qendre të re sportive në Shqipëri, zyrtarisht afati dy vjeçar përfundon më qershor të këtij viti, por gjithçka mund të jetë gati që në muajin maj.