Nga Gjergj Vyshka 27.01.2016 14:35
Që të kuptosh se në Shqipëri po bëhet një seminar për një sport të pastër dhe pa doping atë duhet ta marrësh vesh nga burime të tërthorta, sepse në asnjë moment nuk ka një njoftim zyrtar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. Edhe pse pjesë e organizimit është Drejtoria e Sporteve.
Dopingu është shqetësim botëror dhe si i tillë duhej t’i ishte dhënë një rëndësi e veçantë, jo të kalohej në heshtje, ndërsa për dikasterin sporti mbetet i dorës së dytë ose i tretë siç dhe ka emërtimin vetë Ministria. Janë të pakta, apo për të mos thënë që numërohen sot me gishtat e dorës lajmërimet zyrtare për aktivitetet që bëhen në emër të sportit.
Sigurisht sporti është në fund dhe arsimi në të gjitha nivelet, që nga parauniversitar dhe deri në nivelin më të lartë, mbetet temë kryesore. Por mos bini në atë që patën pasqyruar qeveritë e mëparshme, djathtas apo majtas, që sportin e kishin lënë pas Turizmit, Kulturës dhe Rinisë, dhe asnjëherë nuk u kujtuan për të.
Bëhuni më të gjallë që veprimtaritë tuaja për sportin të kenë hapësirën e nevojshme të paktën nëpër mediet e shkruara (e vetmja që ka folur dje për një konferencë kombëtare për sportin e pastër dhe pa doping ka qenë RTSH-ja) dhe të mos mbeten vetëm një xhep në fund të faqes atje ku nuk ka nge njeri ta lexojë…
Kjo sa për kujtesë, sepse nëse do të keni ju gjuhën e duhur të komunikimit edhe federatat sportive do të jenë më të ndërgjegjshme për atë rol që ka pasqyrimi i aktivitetit nëpër medie. Gjithnjë nëse nuk doni të fshiheni për atë që po bëni, edhe pse është e drejtë për kauzën që shqetëson të gjithë sportin botëror sot…