Gjergj Vyshka 02.12.2014 18:00
Ish-trajneri i Tërbunit, ndihmëstrajner i Elbasanit, ka zgjedhur një tjetër mënyrë për profesionin: “Është një piacë e rëndësishme, por dhe për t’i treguar të tjerëve se si punohet me moshat”. Xhino Gargano nuk do të jetë thjesht një emër opinionisti nëpër mediat shqiptare, por tashmë ka zgjedhur një mënyrë interesante për profesionin e tij. Që nga e hëna, italiani që ka drejtuar Tërbunin në Kategorinë e Parë, por dhe që ka qenë ndihmëstrajner i Elbasanit në Kategorinë Superiore, është vënë në krye të Nën-19-vjeçarëve të Teutës.
E ka parë këtë skuadër të dielën, teksa është mundur në Durrës nga Olimpiku 1-4, por ka pranuar të sfidojë të gjithë, të paktën në vendin tonë. Sepse ndodh radhë që emrat e mëdhenj të pankinave shqiptare të ulen e të bëjnë trajnerin me moshat. Shumë pak, aq sa aktualisht gjen vetëm emra prestigjioz si Agustin Kola, Jani Kaçi, Genc Tomori, Ilir Daja, Ilir Spahiu. E më pas emra që vështirë se mund t’i ketë rënë dikujt në vesh nëse kanë luajtur apo jo. Gargano sfidon me qëllimin e madh të bërjes së ekipit të të rinjve të Teutës si prodhimtare e skuadrës së parë.
Po pse jo dhe të bëjë ndërmjetësin e dërgimit të talenteve të akademisë së futbollit të Teuta jashtë vendit, si një mundësi financiare për shëndoshjen e klubit durrsak. Por pa harruar dhe misionin e tij të prurjes së lojtarëve të huaj, ndërsa ka vënë në qendër të vëmendjes një lojtar të kombëtares së Nën-21-vjeçarëve të Haitit, por dhe një tjetër futbollist të këtij shteti, që ka luajtur me kombëtaren Nën-19-vjeçarëve. Të dy për ekipin e parë të Teutës, sepse Gargano, siç dhe pranon vetë, në çdo kohë do të jetë i gatshëm të vihet në krye të ekipit të parë, që sot drejtohet nga ish-trajneri i të rinjve Gentian Begeja.
Dhe prova e parë e Garganos në krye të të rinjve të Teutës është të mërkurën në Vlorë përballë Flamurtarit. Ja dhe intervista e tij për “Gazeta e Sportit”.
– Pse kjo zgjedhje për një trajner profesionist për t’u bërë trajner i të rinjve të Teutës?
– Sepse është një “piacë” shumë e rëndësishme. Dhe për t’i treguar të tjerëve, por dhe të bindur veten se mund të bëj një punë të mirë dhe me të rinjtë. Dhe mund t’i çoj përpara me një ide ndryshe të lojës, sepse vetëm kështu mund të rriten. Dhe e vërteta është se janë futbollistë që kanë dëshirë të rrisin nivelin e tyre.
– Një përshtypje të parë për ekipin e të rinjve të Teutës, e cila të dielën është mundur në fushën e vet 1-4 nga Olimpiku. Çfarë skuadre është?
– Është mundur 1-4 nga Olimpiku sepse ka luajtur keq. Dhe për më tepër vjen nga një periudhë e pakët stërvitore. Shkaku është ndërrimi i trajnerëve. Por qëllimi i drejtuesve është bërja e Akademisë dhe formimi i lojtarëve të aftë për ekipin e parë.
– Ndodhemi në këtë situatë, Teuta e Nën-17-vjeçarëve është në vendin e parë dhe kërkon titullin “kampion” të Shqipërisë për këtë grupmoshë, ndërsa Teuta e Nën-19-vjeçarëve në një situatë të vështirë. Çfarë do të ndryshojë Gargano në këtë ekip?
– Ekipi i të rinjve të Teutës ka elementë shumë të mirë. Duhet vetëm të ndryshojmë dhe të përmirësohemi në anën taktike. E më pas të grumbullojmë sa më shumë pikë, por pa e parë klasifikimin. Pastaj në fund do të shohim se ku do të arrijmë. Kemi një ndeshje të vështirë të mërkurën në Vlorë përballë Flamurtarit. Shpresojmë të jemi krejtësisht ndryshe nga ndeshja e së dielës me Olimpikun.
– Si funksionon Akademia e Teutës? Gargano ndodhet aty edhe për të bërë menaxherin, apo ndërmjetësin e dërgimit të lojtarëve jashtë vendit si një mundësi shitjeje dhe shëndoshjeje financash për klubin?
– Mund të jetë edhe kështu, ashtu sikurse mund të sjellim dhe lojtarë të vlefshëm për ekipin e të rriturve të Teutës. Sepse sot kufinjtë janë të hapur për të gjithë. Jam duke kërkuar që të vijnë në Shqipëri dy lojtarë nga Haiti, të dy të kombëtares, njëri me Nën-19-vjeçarët dhe tjetri me Nën-21-vjeçarët. Sot sektorët e të rinjve janë shumë të rëndësishëm, sepse për të blerë lojtarë duhen financa të mëdha. Atëherë zgjidhja e vetme është të provojmë t’i prodhojmë në shtëpi e më pas t’i bëjmë lojtarë duke i mësuar futbollin. E pastaj për t’i bërë profesionistë duke luajtur si në Shqipëri, ashtu dhe jashtë vendit.
– Së fundi, nëse një ditë do t’iu kërkojnë për t’u bërë trajneri i të rriturve të Teutës, a jeni gati?
– Jam gjithmonë i gatshëm dhe ndodhem këtu. Duhet të falënderoj drejtuesit e Teutës për besimin që më dhanë për ekipin e të rinjve. Shpresoj në një bashkëpunim të frytshëm.