AlbanianSport.com 01/12/2018 22:55
ASNN – Trajneri i Goga Basket, Nikola Milatoviç e kishte përkufizuar përballjen e skuadrës së tij me Teutën një vitrinë për basketbollin shqiptar dhe ashtu ka rezultuar, madje më gjerë se aq, e gjithë e shtuna ka qenë reklama më e mirë që mund t’i bëhet koshit shqiptar të meshkujve të këtij sezoni. Sepse java e 8-të e nivelit më të lartë të Kampionatit Kombëtar në Basketboll për Meshkuj, që njihet si Superliga, ka dhuruar emocione pa fund, pasi janë zhvilluar dy ndeshje derbi, në Tiranë e Durrës.
Në Durrës, skuadra e Goga Basket mundi 80-76 Teutën, një ndeshje me emocione deri në sekondën e fundit, pasi të dyja ekipet e kërkuan këtë sukses. Përgjatë gjithë kohës, takimi ka qenë i barazpeshuar, me skuadrat që nuk tolerojnë, por, ndryshe nga ndeshja e fazës së parë, e zhvilluar në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” të Durrësit, basketbollistët e trajnerit Nikola Milatoviç, janë treguar më të saktë në momentet vendimtare, duke arritur të fitojnë.
Teuta gaboi atëherë kur nuk pritej, duke pësuar disfatën e 3-të, ndërsa për Goga Basket vjen një hakmarrje pas humbjes në fazën e parë. Duhet theksuar se kjo humbje ka ngritur pikëpyetje mbi largpamësinë e drejtuesve të Teutës së koshit, të cilët larguan trajnerin e ri në moshë, por që e çoi skuadrën drejt një trofeu dhe drejt finales së titullit, ndonëse të humbur, sezonin e shkuar, 30-vjeçarin Boban Niniç, dhe zëvendësimin e tij me 70-vjeçarin Miodrag Baletiç, e për më tepër në këtë fazë delikate të sezonit.
Ndërkaq, në mbrëmje, në Sallën Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet, skuadra e Tiranës fitoi 92-83 ndaj Partizanit në derbin kryeqytetas, në atë që ishte një hakmarrje e bardheluve për humbjen e fazës së parë, por, që për më tepër, rihapi dukshëm kampionatin. Ka qenë një ndeshje me rivalitet në pjesën e parë ky derbi, i barazpeshuar dhe ku skuadrat luajnë mirë, sidomos në mbrojtje. Loja bëhet më e bukur në 20 minutat e dyta, me Tiranën që shkëputet deri në 16 pikë.
Bardheblutë japin përshtypjen e një fitoreje të lehtë, por Partizani arrin të ngushtojë deri në 4 pikë në minutën e fundit, duke e bërë dramatike lojën. Megjithatë, Tirana është e kujdesshme dhe arrin të mbrojë epërsinë, duke u shkëputur dhe fituar 92-83. Nuk mungoi edhe tensioni pas përfundimit të ndeshjes, me disa tifozë të Tiranës që hyjnë në fushë, por ndërhyjnë forcat e sigurisë, ndërsa ka patur edhe përplasje në parket midis lojtarëve.
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Meshkuj
Superliga
Java e 8-të
Të shtunën, 1 dhjetor 2018:
Goga Basket – Teuta 80-76
Tirana – Partizani 92-83
Të dielën, 2 dhjetor 2018:
Kamza Basket – Vllaznia ora 16:00
Salla Sportive, Bathore.
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Pikë
- Goga Basket 8 6 2 14
- Partizani 8 6 2 14
- Teuta 8 5 3 13
- Tirana 8 4 4 12
- Kamza Basket 7 2 5 9
- Vllaznia 7 0 7 7