AlbanianSport.com 04.10.2014 22:20
ASNN – Partizani dhe Flamurtari janë ndarë me rrjeta të paprekura në ndeshjen e parë të javës së 7-të të Kategorisë Superiore. Nga një pikë për secilën skuadër, që tashmë ndodhen në kuotën e 12 pikëve. I njëjti rezultat ka qenë dhe në ndeshjen e zhvilluar në darkë midis Skënderbeut dhe Tiranës ku te dyja ekipet nuk shkuan me tepër se një barazim pa gola.
Kësisoj, dy supersfidat hapëse të javës së 7-të të Superiore përfunduan me rrjeta të paprekura, duke mos ndryshuar gjendjen për kreun e tabelës. Në Tiranë, Partizani dhe Flamurtari barazuan 0-0 dhe përpjekjet e zbehta të të dyja skuadrave ishin të pamjaftueshme për të ndryshuar atë. Në Korçë, Skënderbeu dhe Tirana barazuan po në shifrat 0-0.
Por ndryshe nga takimi i Tiranës, takimi ishte disi më i ndezur dhe këtë e tregojnë edhe dy kartonët e kuq, fillimisht për Tiranën në minutën e 48-të dhe më pas për Skënderbeun në minutën e 59-të. Për t’u përmendur në këtë takim ishte prania e tifozëve “të kollarisur” të Tiranës, si shenjë proteste ndaj vendimit që e ndëshkon me 15 takime pa tifozë, për shkak të dhunës së regjistruar në Shkodër.
Megjithatë, pavarësisht kësaj, edhe takimi me Skënderbeun regjistroi një incident të vogël. Kur tifozët shpalosën parrullën “Sport, Punë, Kalitje”, forcat e policisë e hoqën atë. Pas këtyre ndeshjeve dhe në pritje të takimeve të tjera të javës së 7-të, Tirana, Flamurtari dhe Partizani kryesojnë me nga 12 pikë, të ndjekur nga Skënderbeu me 11 pikë.