Nga Gjergj Vyshka 14.03.2015 15:45
Tirana dhe Partizani kanë luajtur derbin më të shpëlarë të basketbollit shqiptar. Pa tifozë, pa shumë spektakël dhe rivalitet në fushë, të dyja skuadrat janë turrur ta mbarojnë sa më shpejt këtë ndeshje, sepse në 19:00 do të niste ndeshja e futbollit.
E thënë më ndryshe, ky derb i basketbollit i luajtur dje duket se ka qenë pa vend, sepse askush nuk e ka pasur mendjen se çfarë po ndodhte në parket, por se çfarë do të bëhej në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”.
Madje edhe pushimi mes katër pjesëve nuk ka zgjatur më shumë se sa pesë minuta, sepse me mirëkuptimin e të gjitha palëve ndeshja është luajtur shpejt e shpejt, pasi duhej parë futbolli.
Dhe në fakt edhe niveli i asaj që po ndodhte në parket nuk të impononte respekt për ta quajtur një derbi. Sepse Partizani, me vetëm Pregjën e Gozhdarin, por pa Çaçin e Ismetin, dhe pjesën më të madhe të rinj, e ka pasur të vështirë të përballojë vrullin e Tiranës.
Diferencat janë të mëdha, ndërsa Shehu ka luajtur me katër pesëshe të ndryshme në katër pjesët e lojës.