AlbanianSport.com 17.02.2015 07:55
ASNN – Veprimtaria më prestigjioze e klubeve të kontinentit, Liga e Kampioneve nis sot fazën e saj më interesante, atë me eliminim të drejtpërdrejtë. Në kuadër të turit të 16-shes luhen sonte dy takimet e para dhe Shahtjori i Donjeckut pret Bajernin e Mynihut, ndërsa Çellsi është mysafir në Francë për t’u ndeshur me Paris SG-në.
Pas dy muajve mungesë, rikthehet sonte Liga e Kampioneve me takimet e para të dy prej çifteve të turit të saj të 16-shes. Shorti ka vënë përballë Shahtjorin e Donjeckut me Bajernin e Mynihut dhe takimi i sotëm, për shkak të konfliktit në Ukrainë, do të luhet në fushën e Lvivit, duke nisur nga ora 20:45.
Ukrainasit vijnë në këtë sfidë pa luajtur asnjë ndeshje zyrtare që nga mbyllja e fazës në grupe të Ligës së Kampioneve, ndërsa bavarezët, pas asaj fitoreje të pazakontë, 8-0, që arriti në fundjavë në Bundesligën gjermane. Në takimin tjetër të mbrëmjes, Paris SG-ja pret në fushën e vet Çellsin.
Francezët do të kërkojnë të hakmerren ndaj londinezëve për eliminimin sezonin e shkuar në çerekfinalen e Ligës së Kampioneve. Ndërkohë që skuadra e trajnerit Zhoze Murinjo vjen në sfidën e sotme si kryesuese bindëse e renditjes së Premier Ligës Angleze, parizienët mbajnë vendin e 3-të në kampionatin francez.