AlbanianSport.com 13.09.2016 14:20
ASNN – Sot në mbrëmje, në orën 20.45 rikthehen emocionet e Ligës së Kampioneve, me ndeshjet e fazës së grupeve. Arsenali, Mançester Siti, Napoli, Barcelona e Bajerni i Mynihut nisin aventurën në këtë veprimtari të rëndësishme futbollistike, me synimin për të fituar trofeun.
Kështu, Liga e Kampioneve nis sonte me ndeshjet e grupeve A,B,C dhe D. Një nga grupet më interesante të Ligës së Kampioneve është padyshim ai A. Që në nisje, dy klube të mëdhenj të futbollit evropian, Paris SG-ja dhe Arsenali do të ndeshen sot në mbrëmje.
Por jo vetëm kaq, në këtë grup do të vihen përballë njëri-tjetrit edhe dy vëllezërit Xhaka, por jo në ndeshjet e mbrëmjes së kësaj të marte. Në grupin B, Napoli luan ndaj Dinamos së Kievit. Mbrojtësi i Kombëtares kuqezi, Elseid Hysaj bën debutimin në këtë veprimtari të rëndësishme për klube.
Në ndeshjen tjetër përballen Benfika me Beshiktashin. Barcelona-Sëlltik dhe Mançester Siti-Borusia e Mënshengladbahut janë dy sfidat e grupit C. Skuadra spanjolle dhe ajo angleze po kalojnë një moment të mirë në kampionatet përkatëse, ndaj priten ndeshje të bukura edhe në Ligën e Kampioneve në përballjet e tyre.
Ndërsa në grupin D, Bajerni i Mynihut pret Rostovin e Rusisë ndërsa PSV Eind’hoveni pret Atletikon e Madridit. Dy sfida tepër interesante këto. Për trajnerin italian të Bajernit, Karlo Ançeloti kjo është prova e parë në stolin e skuadrës bavareze në Ligën e Kampioneve.