AlbanianSport.com 15.09.2016 12:30
ASNN – Pas Ligës së Kampioneve, edhe veprimtaria e dytë e klubeve të kontinentit, Liga e Evropës, nis sonte fazën e ndeshjeve në grupe. Në këtë fazë marrin pjesë 48 skuadra, të ndara në 12 grupe me nga 4 skuadra secili.
Në përfundim, dy të parat e renditjes së çdo grupi të Ligës së Evropës, së bashku me 8 skuadrat që renditen të 3-tat në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve vijojnë më tej në turin e 32-shes.
Sikundër ka bërë edhe sezonin e shkuar, edhe këtë sezon, Liga e Evropës do të vijë çdo të enjte për sportdashësit drejtpërdrejt në ekranin e Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar, me transmetimin e një ndeshjeje si dhe të gjithë golat e mbrëmjes.
Takimi i përzgjedhur sonte është ai që nis në ora 21:05, ku Interi do të presë në Stadiumin “San Siro” të Milanos izraelitët e Hapoel Bir Shevas. Kjo ndeshje është e vlefshme për grupin K, ku ndodhen gjithashtu edhe anglezët e Sauthemptonit dhe çekët e Spartës së Pragës.
Aktualisht, Interi renditet i 11-ti në Serinë A të Italisë, me vetën 4 pikë të marra në 3 ndeshjet e para të këtij sezoni, ku ka korrur një fitore, ka marrë një barazim dhe ka pësuar një humbje.
Ndërsa Hapoel Bir Sheva mban vendin e parë në kampionatin izraelit, me 7 pikë të marra në 3 ndeshje, ku ka korrur dy fitore dhe ka marrë një barazim.