AlbanianSport.com 17.04.2015 10:05
ASNN – Po mbahen në Lozanë të Zvicrës seancat dëgjimore të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv për ndeshjen e ndërprerë të 14 tetorit 2014 midis Serbisë dhe Shqipërisë. Trupi gjykues ka dëgjuar dje palën serbe në lidhje me incidentet në Beograd. Ndërsa sot është radha e palës shqiptare, ku do të dëgjohen presidenti i FSHF-së Duka, trajneri De Biazi, kapiteni Cana dhe avokati italian Rigoci.
Seanca ka filluar në ora 8:00 të mëngjesit dhe pritet të zgjasë deri në ora 18:00, ndërsa vendimi pritet të dalë në ditët në vijim. Trajneri i kombëtares shqiptare, italiani Xhovani De Biazi, së bashku me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, kanë udhëtuar të mërkurën drejt Gjenevës. Atyre u është bashkuar edhe kapiteni i kombëtares shqiptare, Lorik Cana, dhe bashkë kanë udhëtuar drejt Lozanës.
Trupi gjykues në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë ka dëgjuar dje palën serbe për ankimimin që ka bërë në lidhje me incidentet në Beograd. Ndërsa sot është radha e palës shqiptare, janë dëgjuar fillimisht kapiteni Cana dhe më pas, trajneri De Biazi, presidenti Duka, dhe avokati italian Antonio Rigoci.