AlbanianSport.com 03.03.2015 22:55
ASNN – Për herë të parë në historinë e saj, Federata Shqiptare e Futbollit organizon programin “RAP Course”, në bashkëpunim me FIFA-n dhe UEFA-n. Dy gjyqtarë dhe një trajner atletik nga çdo shtet i Evropës do të kryejnë një seminar 4-ditor në vendin tonë, nën drejtimin e lektorëve më të mirë të gjykimit në botë. Shqipëria mirëpret programin “RAP Course” që organizohet nga FIFA e UEFA, i mbështetur nga Federata Shqiptare e Futbollit.
Gjyqtarët më të mirë të të gjithë shteteve të Evropës do të kryejnë një kurs 4-ditor trajnimi në vendin tonë. Shefi i sektorit të gjyqtarëve në FSHF, Plarent Kotherja tregon për Televizionin Shqiptar se ky seminar zhvillohet për herë të parë në Shqipëri. “Është hera e parë, që një aktivitet i një niveli kaq të lartë, organizohet në Shqipëri, – ka thënë ai. – Është fryt i bashkëpunimit midis UEFA-s, FIFA-s dhe FSHF-së. Sigurisht është një ngjarje e rëndësishme dhe e madhe evropiane, e cila mbështetet nga FSHF-ja.”
“Shpresojmë ta kurorëzojmë sa më mirë”, – përfundoi Kotherja. Në këtë seminar do të marrë pjesë edhe një nga gjyqtarët më të mirë në botë, Hauard Ueb. Përfaqësuesja e UEFA-s për organizimin e këtij seminari, Lusia Poreti tregon arsyen se pse ky aktivitet u organizua në Shqipëri. “E kemi organizuar këtë seminar në Shqipëri, sepse Federata Shqiptare e Futbollit u tregua e gatshme për ta mirëpritur këtë, – ka deklaruar ajo. – Ky seminar u intereson shumë vendeve pjesëmarrëse në të.”
“Dhe ne mendojmë të zhvillojmë edhe të tjera në vendin tuaj, – ka vijuar Poreti. – Jemi të kënaqur që jemi këtu dhe me ndihmën e FSHF-së shpresojmë të zhvillojmë një seminar të mirëorganizuar. Shqipëria është një vend i bukur, edhe pse unë nuk e kam parë ende të gjithë atë.” Pjesëmarrësit në programin “RAP Course” janë ndarë në tre grupe, të cilët do të qëndrojnë nga 4 ditë në seminar dhe ai do të presë në Shqipëri rreth 200 përfaqësues të të gjitha Federatave të Evropës