AlbanianSport.com 10/03/2024 19:50
ASNN – Me dy ndeshjet e zhvilluara të dielën, njëra pasdreke e tjetra në mbrëmje, ka nisur java e 27-të e Kategorisë Superiore. Më herët, Partizani është treguar cinik në Rrogozhinë, duke e mundur Erzenin 4-0, ndërsa në mbrëmje, Egnatia nuk e ka gjetur dot fitoren, duke u ndalur në minutën e 7-të shtesë nga Tirana, që sidoqoftë rrezikon gjithnjë e më tepër vendin në 4-shen e parë.
Në takimin e parë të luajtur pasdreke në Stadiumin “Egnatia Arena”, ka qenë Erzeni që ka bërë një vëllim më të madh loje, Partizani është treguar jashtëzakonisht cinik, duke i shfrytëzuar në maksimum rastet e ndërtuara për shënim dhe duke shënuar 4 gola, edhe pse e mbylli sfidën në inferioritet numerik. Kështu, Partizani ka siguruar 3 pikë shumë të rëndësishme në fushë të huaj përballë Erzenit.
Të kuqtë kanë siguruar fitoren e dytë radhazi në kampionat për t’u kthyer edhe një herë në vendin e dytë, të cilin e ndan për momentin me Vllazninë, që sidoqoftë ka luajtur një ndeshje më pak. Ndërsa në takimin e mbrëmjes, të gjithë golat e sfidës Tirana-Egnatia erdhën në fraksionin e dytë të lojës, ku fillimisht topin në rrjetë e dërgoi turku i rrogozhinasve, Melih Ibrahimoglu, në minutën e 74-t
Por në sekondat e fundit të ndeshjes, Malota shkakton një 11-metërsh dhe nga pika e bardhë, Kristal Abazaj nuk gabon duke barazuar shifrat. Falë këtij rezultati, Tirana ngjitet në kuotën e 36 pikëve dhe parakalon përkohësisht Dinamon, teksa ndodhet vetëm një pikë larg vendit të 4-t, vend që mbahet nga Skënderbeu, me 37, ndërsa Egnatia mbetet në vendin e parë të tabelës së renditjes, me 51 pikë.