AlbanianSport.com 23/02/2024 23:15
ASNN – Volejboll, “luftë nervash”, triumfon Studenti. Mundi Tiranën 3-2, ndeshja erdhi drejtpërdrejt në Rrjetin e RTSH-së. Java e 11-të e Superligës së meshkujve ka nisur të premten dhe Studenti ka shtangur Tiranën, duke e mundur në 5 sete. Edhe volejbolli i meshkujve është rikthyer në parket të premten, pas takimeve të para të gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë, teksa janë luajtur dy takimet e para të javës së 11-të të saj.
Në takimin e luajtur më herët në Pallatin e Sportit “Tomor Sinani”, Elbasani vendas ka mundur në 4 sete Skënderbeun, me rezultatet e seteve që ishin 19-25, 26-24, 25-23 dhe 25-4. Ndërkaq, në takimin e zhvilluar më vonë, edhe Tirana nuk ka arritur të fituar në fushë të huaj ndaj Studentit, në ndeshjen që zgjati për plot 127 minutash lojë efektive.
Në fakt, ndeshja e luajtur në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet, ka parë një sfidë të luftuar fort, dhe seti i parë, që ka zgjatur për 26 minuta është fituar nga Studenti 25-20, por Tirana është kundërpërgjigjur, duke e fituar me shifrat 25-21 atë të dytin, që ka zgjatur 29 minuta. Edhe më i gjatë, 34 minuta, ka qenë seti i 3-të, që është fituar nga Studenti në pikët shtesë, 29-27.
Por Tirana rikthehet fuqishëm në setin e 4-t, të cilin e ka fituar shpejt, në 20 minuta, por edhe bindshëm, 25-14, duke bërë që gjithçka t’i drejtohet setit të 5-të dhe të fundit. Por ky set do të shohë Studentin ta fitojë atë 15-11 dhe gjithë ndeshjen 3-2. Java e 11-të e Superligës së meshkujve mbyllet të shtunën dhe pasdite, Vllaznia është mysafire në kryeqytet për t’u ndeshur me Partizanin, ndërsa në mbrëmje, Teuta pret në Durrës Erzenin.