AlbanianSport.com 06.09.2016 17:10
ASNN – Të mërkurën ka nisur edicioni i 78-të i Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit dhe skuadrat pjesëmarrëse kanë përfunduar tashmë fazën përgatitore dhe janë gati për ndeshjet e para. Partizani luan me Luftëtarin në Elbasan dhe trajneri i të kuqve, Adolfo Sormani, shprehet me bindje se skuadra e tij i ka bërë përgatitjet e duhura, jo vetëm për ta nisur mbarë këtë kampionat, por edhe për të fituar titullin “kampion”.
“Partizani është një skuadër me mendësi fituesi, – ka deklaruar italiani i stolit të të kuqve kryeqytetas. – Ndaj nuk ka se si ta nisë ndryshe takimin e së mërkurës. Ndaj Luftëtarit do të luajmë vetëm për fitore. Futbollistët kanë punuar fort në stërvitje për t’i bërë një nisje të mirë kampionatit dhe synojnë me të vërtetë të fitojnë titullin “kampion”.”
Ndërkohë, Skënderbeu pret Flamurtarin në Korçë dhe trajneri i kampionëve në fuqi, Andrea Agostineli, e quan detyrim fitoren në ndeshjen ndaj vlonjatëve. “Ne jemi kampionë në fuqi, ndaj, me të drejtë, të gjithë kërkojnë maksimumin nga ne, – ka thënë ai. – Do të hyjmë në fushë me mentalitetin e fituesit.”
“Skuadra ka ndryshuar sivjet me rreth 50% të lojtarëve, por megjithatë grupi ka punuar morë dhe lojtarët e njohin mirë lojën e njëri-tjetrit”, – ka përfunduar trajneri i Skënderbeut.