AlbanianSport.com 16.04.2016 21:45
ASNN – Çështja e titullit mund të quhet e rihapur, pas humbjes së dytë radhazi të Skënderbeut në Kategorinë Superiore, kur duhen edhe 6 javë deri në fund të këtij sezoni.Skuadra kampione e Shqipërisë në pesë sezonet e fundit, u mund në fushën e saj me rezultatin 2-3 nga Tërbuni i vendit të fundit, duke dhuruar edhe surprizën e këtij sezoni. Madje pukjanët e mbyllën pjesën e parë në epërsi të dy golave.
Salihi, i rikthyer pas dëmtimit, nuk mund të bënte shumë, por, sidoqoftë, së bashku me Plakun, i dhanë barazimin e përkohshëm vendasve në 2-2. Goli i Karakaçit në fund vulosi fitoren e Tërbunit në shifrat 3-2. Kjo ishte një fitore që ndez shpresën për t’i shpëtuar rënies edhe pse zona e sigurt është larg. Më herët, Flamurtari mori një 3 pikësh me vlerë, duke fituar me shifrat 2-1 me përmbysje në fushën e Laçit.
Kurse përballja direkte e rivaleve për vendin e tretë, Teuta-Kukësi u mbyll pa gola. Të dielën është radha e Partizanit dhe Tiranës të zbresin në fushë. Të kuqtë presin Vllazninë dhe një fitore do të shkurtonte në 2 pikë diferencën me Skënderbeun. Bardheblutë do të luajnë me Bylisin në Ballsh. Kësisoj, Tërbuni është surpriza e javës së 30-të në Superiore.
Kjo, pasi pukjanët e vendit të fundit mposhtën 2-3 Skënderbeun në Korçë. Pritej të ishte një ndeshje dhe një fitore e lehtë për ekipin e Mirel Josës, por ndodhi e kundërta. Ishte Tërbuni ai që e mbylli pjesën e parë me epërsi 2-0, falë golave të Lalës dhe Jovaniç. Në pjesën e dytë Skënderbeu u mobilizua dhe falë presionit të vazhdueshëm dhe eksperiencës arriti të barazojë me Salihin dhe Plakun.
Korçarët madje ishin shumë pranë përmbysjes, por goli i Karakaçit pas një kundërsulmi të shpejtë në minutat shtesë i dha fitoren skuadrës pukjane dhe, njëkohësisht, një mundësi Partizanit, të shkurtojë diferencën e pikëve me Skënderbeun, i cili pësoi humbjen e parë në shtëpi gjatë këtij sezoni. Surprizë, por jo aq sa Tërbuni mund të quhet edhe Flamurtari.
Ekipi vlonjat përmbysi rezultatin dhe mposhti 1-2 Laçin, skuadër e cila duket se e ka braktisur Superioren dhe e ka përqendruar të gjithë vëmendjen të gjysmëfinalja e së mërkurës me Skënderbeun. Golit të Cetkoviç, vlonjatët iu kundërpërgjigjën në pjesën e dytë me Alvesh dhe Da Silva, 2 gola këto që i japin mundësinë Flamurtarit të marrë një tjetër fitore të rëndësishme në luftën për mbijetesë.
Në takimin tjetër të mbrëmjes, Teuta dhe Kukësi, u ndanë në barazim pa gola, një rezultat ky që lë të pandryshuar situatën e këtyre dy skuadrave në renditjen e Kategorisë Superiore, me Kukësin në vendin e tretë, me 52 pikë, dhe Teutën një vend më poshtë, me 49 pikë.