Gjergj Vyshka 12.11.2014 12:05
Ditën e hënë, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, në komisionin e medias dhe mjeteve të informacionit në Parlament, ka bërë të ditur se për vitin 2015-të do të ketë më shumë mbështetje financiare. “Në vitin 2015 do të mbështeten me grand buxhetor Federatat Sportive Olimpike, duke synuar kualifikimin e sportistëve tanë në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”, si viti i kualifikimeve për pjesëmarrjen në Olimpiadë”, -ka thënë ministrja.
“Do të përmirësohet infrastruktura sportive, duke financuar projektin “Tirana Olimpik Park”, i cili do të mundësojë krijimin e mjediseve të përshtatshme dhe cilësore për ushtrimin e sporteve. Kjo veçanërisht për sportet e peshëngritjes, mundjes, artet marciale, lojërat me dorë, duke i shndërruar mjediset e Agjencisë ekzistuese të sportit në Qendër Kombëtare shumëfunksionale”, – ka thënë Nikolla përpara komisionit të medieve dhe mjeteve të informacionit, ndërsa në fakt që tani federatat sportive kanë nisur hartimin e projektbuxheteve të vitit 2015.
Nuk duhet harruar se në plan të parë për vitin 2015 është dhe pjesëmarrja në Lojërat e para olimpike evropiane në Baku të Azerbajxhanit, 12-28 qershor. Apo në Festivalin Olimpik Evropian për të rinj në Gjeorgji, si dhe në një tjetër aktivitet, që ka të bëjë me sportet e ujit në Peskara të Italisë. Megjithatë tashmë kualifikimi i sportistëve tanë me normë në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”, apo dhe qendra olimpike shumë funksionale është në plan të parë të qeverisë shqiptare. Gjë që mbetet për t’u parë…