Albaniansport.net 23.01.2016 22:15
ASNN – Laçi ka mundur Partizanin 2-0 në ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Kanë mjaftuar dy gola të realizuar nga Xhejms për t’i dhënë sigurinë skuadrës kurbinase në ndeshjen e kthimit. Ndeshja fillon me ritëm nga të dyja skuadrat por lojtarët janë të kujdesshëm për të mos bërë gabime.
Pjesa e parë mbyllet në barazim 0-0, pavarësisht një rasti të mirë të Dajës pas 8 minutash lojë. Pjesa e dytë nis praktikisht me gol për vendasit, kur Xhejm Adenji kalon Laçin në epërsi, duke befasuar të kuqtë dhe trajnerin Agostineli. Pa kaluar 10 minuta lojës, është sërish Xhejms Adenji që dyfishon shifrat për Laçin.
Me një gjuajtje të fortë me të djathtën në minutën e 54-t, ai mposht për të dytën herë portierin e Partizanit, Alban Hoxha. Në minutën e 72-të, Vatnikaj gjuan rrezikshëm me kokë brenda zonës por topi kalon mbi shtyllën horizontale. Në 76-tën minutë, kurbinasit mbesin me 10 lojtarë pas daljes me karton të kuq të Çelës.
Ai ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë për ndërhyrje të rëndë dhe gjyqtari e ndëshkon me kartonin e kuq. Edhe pas këtij momenti, Partizani nuk arrin të reagojë duke e mbyllur takimin me humbje. Ndërsa në ndeshjen tjetër që u luajt pasdite, duke nisur nga ora 17:00,Teuta ka mundur Kukësin me rezultatin minimal 1-0.