AlbanianSport.com 14.09.2015 14:25
ASNN – Media zvicerane kanë hedhur sot poshtë pretendimet e Sep Blaterit për pafajësinë e tij në skandalin e korrupsionit që përfshiu muajt e fundit FIFA-n. Është pikërisht kanali televiziv SRF që ngre akuza ndaj 79-vjeçarit. Sipas SRF-së, Blateri i dha të drejtat televizive të Botërorëve 2010 dhe 2014 tek Xhek Uorner për vetëm 389 mijë stërlina angleze, që është vetëm 5% e vlerës reale në treg të saj, duke bërë të mundur që ky i fundit të sigurojë përfitime prej plot 11 milionë stërlinash në momentin e mëvonshëm të shitjes së tyre.
Lajmi për zbulimin e kësaj kontrate të nënshkruar mes Blaterit dhe Uornerit doli pikërisht në momentin kur mësohet se prokurorë të SHBA-së kanë mbërritur në Zyrih për t’u takuar me homologët zviceranë në lidhje me ecurinë e hetimeve që po zhvillohen në lidhje me këtë skandal. Në datën 27 maj të këtij viti, në prag të Asamblesë së Përgjithshme të FIFA-s, u vunë në pranga 7 zyrtarë të lartë të FIFA-s, mes të cilëve edhe Uorneri, ndërkohë që në akuzën për korrupsion në total ishin 14 persona.