Gjergj Vyshka 16.12.2014 08:50
Një tjetër ndeshje e futbollit shqiptar nuk është luajtur dje dhe kjo për arsye të keqorganizimit nga klubit pritës. Bëhet fjalë për ndeshjen e grupit A të Kategorisë së Dytë, Tirana B-Erzeni, e caktuar për t’u luajtur në stadiumin “Skënder Halili”. Por duke qenë se bëhet fjalë për ballafaqimin me një skuadër pretendente si Erzeni, e cila kërkon të ngjitet në Kategorinë e Parë, atëherë në momentet e fundit është dërguar në “Selman Stërmasi”.
Mirëpo këtu kanë ndryshuar situata, sepse nëse në “Skënder Halili”, policia e Komisariatit Nr. 6, që mbulon zonën e kombinatit, ka qenë e gatshme për mbarëvajtjen e ndeshjes, në “Selman Stërmasi” komisariati Nr. 2 nuk ka pasur kohën e duhur për të organizuar forcat e saj, të cilat kanë qenë të shpërndara në detyra të tjera. Në këto kushte, policia nuk e ka marrë përsipër mbarëvajtjen e kësaj ndeshje dhe për rrjedhojë, pas 45 minutash pritjeje sipas rregullores, gjyqtari Juxhin Xhaja ka plotësuar protokollin dhe ndeshja nuk është zhvilluar.
Që do të thotë se tashmë do të jetë Komisioni i Disiplinës në FSHF që do të vendosë për rezultatin e saj, ndërsa Erzeni është në pritje të trepikëshit “në tavolinë”. E qëllimshme, apo jo, kjo ngatërresë është e vështirë të thuhet, sepse në traditën e vet Tirana si klub nuk ka vuajtur ndonjëherë për organizim të veprimtarive. Por tashmë është fakt që Tirana B-Erzeni nuk është zhvilluar sepse ndërrimi i fushave në momentin e fundit ka sjellë dhe mosmarrjen e ndeshjes përsipër nga policia.