AlbanianSport.com 01.07.2015 12:35
ASNN – Kampionati Evropian i Nën-21-vjeçarëve ka luajtur të martën aktin e tij final dhe Suedia ka triumfuar përballë Portugalinë në betejën për më të mirën e kontinentit për këtë grupmoshë, por vetëm pas goditjeve nga pika e bardhë e 11-metërshave.
Në fakt, kjo përballje finale ishte një përsëritje e asaj ndeshjeje të fundit në grupin B, ku të dyja skuadrat “u pajtuan” me një barazim mjaft të diskutueshëm në shifrat 1-1, rezultat ky që u mjaftoi të dyja palëve që të kualifikoheshin për në gjysmëfinale në kurriz të Italisë.
Por ndryshe nga ajo ndeshje, finalja e mbrëmshme nuk ka prodhuar gola, si në kohën e rregullt, ashtu edhe në atë shtesë. Për rrjedhojë, gjithçka u është drejtuar 11-metërshave, ku nordikët janë treguar më të saktë, duke realizuar 4 nga 5 goditje, kundrejt 3 nga 5 goditjet e realizuara nga portugezët.
Ajo që duhet theksuar është se për të dyja përfaqësueset kjo ishte mundësia për ta fituar për herë të parë trofeun kontinental të futbollit të kësaj grupmoshe, nder ky që në fund i ka takuar Suedisë.