AlbanianSport.com 20.01.2014 18:25
ASNN – Në atë që ishte ndeshja e parë miqësore që skuadra përfaqësuese e Nën-21-vjeçarëve ka kryer gjatë ditëve të qëndrimit në Antalia, Shpresat e Shqipërisë janë mundur 1-2 nga homologëy iranianë. Kjo minifazë përgatitore, ka nisur ditën e diel dhe do të vazhdojë me stërvitje dhe dy ndeshje të tjera miqësore, në ditët në vazhdim. Takimi me përfaqësuesen e Nën-21-vjeçarëve të u zhvillua në stadiumin “Asat”, në Kundu.
Në këtë takim, për kuqezinjtë e trajnerit Skënder Gega kanë munguar Mërgim Vojvoda, i cili është i dëmtuar në stërvitje, dhe portieri Thoma Strakosha, që nuk është paraqitur në grumbullimin e Turqisë, ndonëse ka marrë ftesën dhe konfirmuar pjesëmarrjen në minifazë dhe i është dërguar bileta e udhëtimit nga ana e FSHF-së. Në këtë miqësore, trajneri Gega e filloi me këtë formacion: Teqja, Israeli, Qose, Lulaj, Marku, Laçi, Latifi, Gino, Meçe, Alimi, Ymeraj.
Sipas asaj që raporton faqja zyrtare e FSHF-së në Internet, përfaqësuesja e Nën-21-vjeçarëve të Shqipërisë ka luajtur mirë, por nuk ka arritur të fitojë ndeshjen e parë, por është ndëshkuar me rezultatin 1-2. Formacioni i drejtuar nga trajneri Skënder Gega, falë lojës së mirë, ka realizuar golin e epërsisë në minutën e 44-t, me ane te Ginos. Por duhet theksuar se, në minutën e 20-të të ndeshjes, Meçe është ndëshkuar me kartonin e kuq.
Kjo ka ndikuar sigurisht, në ecurinë e takimit, megjithëse Shpresat ka vijuar në një pjesë të madhe të kohës të luajnë mirë. Megjithatë, kanë ardhur dy gola të ekipit iranian në pjesën e dytë, në minutat 51 dhe 69, edhe falë epërsisë numerike dhe lodhjes së kuqezinjve të mbetur për mbi një orë lojë me 10 lojtarë. Ky program stërvitor i Shpresave në Turqi, i gërshetuar me ndeshje miqësore, do t’i shërbejnë konsolidimit të grupit të lojtarëve.
Ky grup do të përballojë Eliminatoret e Kampionatit të ardhshëm Evropian të kësaj grupmoshe, shorti i të cilit do të hidhet më 5 shkurt 2015. Ndërkaq, sikundër njofton edhe faqja zyrtare e Federatës Shqiptare të Futbollit në Internet, të premten, më datë 23 janar 2015, në ora 17.00 me orën lokale ,në “Papilon Sport Center” në Belek të Antalias, Shpresat e Shqipërisë do të luajnë një tjetër miqësore, atë kundër përfaqësueses së Nën-21-vjeçarëve të Ukrainës.