AlbanianSport.com 17.06.2015 17:40
ASNN – Kombëtarja shqiptare pritet të ketë shpejt një sulmues të ri. Ky është Albion Avdijaj, që tregoi veten duke shënuar ndaj Suedisë në radhët e ekipit përfaqësues të Shpresave. Kështu, u humb një ndeshje, por u fitua një futbollist. Albion Avdijaj nuk zhgënjeu në radhët e Shqipërisë së Nën-21-vjeçarëve, duke shënuar gol ndaj Suedisë.
Sulmuesi i Volfsburgut në Gjermani tregoi potencialin e tij duke e bërë më pak të hidhur një disfatë të rëndë, 1-4, ndaj një skuadre që ka dalë dy herë gjysmëfinaliste e Evropianëve në vitet e fundit. Trajneri Gega, edhe pse i dëshpëruar nga humbja, shpreson që të ketë sa më shumë futbollistë të tillë për në kombëtaren e të rriturve.
21-vjeçarin Avdijaj besohet se e pret një karrierë shumë e mirë në klubin e Bundesligës gjermane, ku po shkëlqen në radhët e skuadrës së 23-vjeçarëve. Ai zgjodhi Shqipërinë, pasi luajti radhazi për përfaqësueset e Zvicrës, nga 17-vjeçarët deri tek 21-vjeçarët, dhe u pajis me pasaportën shqiptare vetëm pak ditë më parë.
Shtatlartë 1.91 metra dhe me shumë talent, ai pritet të jetë një nga sulmuesit kryesorë të përfaqësueses në vitet në vijim.