AlbanianSport.com 25.03.2016 17:05
ASNN – “Nuk mendoj se morëm maksimumin, por e dhamë atë që mund të bënim, – ka deklaruar trajneri i Shpresave të Shqipërisë, Redi Jupi, pas barazimit pa gola me Greqinë. – Djemtë u impenjuan, por nuk arritën të shprehnim atë që donim. Kjo edhe për shkak të kundërshtarit, por edhe të një mbingarkese që lojtarët morën. Përsa i përket Grezdës, nuk mund të qahem për mungesën e tij, pasi nuk e kam të gatshëm.
“Zëvëndësimet i bëra herët, veçse Laçin e ndërrova, pasi kishte një problem në tendinën e gjurit, – vijoi ish-futbollisti i Kombëtares. – Strakosha na shpëtoi disa raste pasi ndeshja mund të ishte humbur. Lojtarët tregohen individualistë pasi në momente të caktuara ia kërkojmë edhe ne, por nuk mbështeten nga skuadra dhe kjo jo për faj të tyre.”
“Duhet të jemi të kujdesshëm me pritshmëritë e skuadrës, pasi luajmë ndaj skuadrave shumë më lartë se ne”, – shtoi ai. Me këtë rezultat Shqipëri e Nën-21-vjeçarëve u ngjit në kuotën e 9 pikëve, në vendin e dytë, ndërsa vendi i parë i renditjes së grupit mbahet nga Portugalia me 18 pikë. “Nisur nga këto gjëra vendin e dytë e shoh shumë të vështirë”, – theksoi ish-futbollisti i Dinamos dhe Tiranës.
“Ndaj Hungarisë do të kemi pak ndryshime, pasi duhet që lojtarëve t’u gjejmë vendin, – vijoi Jupi. – Unë si trajner mendoj gjatë gjithë kohës për këtë gjë. Ne tentuam të bëjmë lojë sulmuese, por nuk na funksionoi mirë, pasi Manaj u shkëput shumë.” Jupi ka pasur dhe një përgjigje për ankesat e Vllaznisë dhe të mungesës së lojtarëve të kësaj moshe nga Shkodra.
“Përsa i përket Vllaznisë, kërkesat e tyre janë legjitime, – ka pohuar trajneri i përfaqësueses së Nën-21-vjeçarëve të Shqipërisë, Redi Jupi. – Unë i pranoj ato dhe i mirëpres fjalët e tyre, por jam unë që i marr vendimet. Më pelqen që lojtarët kanë si synim të afrohen tek Kombëtaret e moshave dhe kjo na kënaq. Unë ai trajner i mirëpres të gjithë.”