Gjergj Vyshka 07.02.2015 07:00
Një ditë pas hedhjes së shortit të Kampionatit Evropian të Nën-21-vjeçarëve “Poloni 2017”, trajneri i përfaqësueses Shpresa të Shqipërisë, Skënder Gega, ka prezantuar planet e tij përpara gazetarëve sportivë të mediave të shkruara dhe vizive. Shqipëria është në grupin e katërt eliminator përballë Portugalisë, Izraelit, Hungarisë, Greqisë dhe Lihtenshtejnit.
Dhe pikërisht me këtë të fundit, Nën-21-vjeçarët kuqezinj më 30 mars të këtij viti do të nisin dhe përballjet e tyre të këtij evropiani. Nisur nga dy paraqitjet e mira në fundin e edicionit të kaluar, atje ku tanët mundën në fushë të huaj 2-0 Hungarinë dhe 3-1 Austrinë, Gega vlerëson se kjo kombëtare, pavarësisht ndërrimit të brezit, ka shansin të fitojë dhe të bëjë favoritin edhe atëherë kur të gjithë e mendojnë krejt ndryshe.
“Së pari, – ka thënë në fjalën e tij të parë para mediave trajneri Gega, – nuk ka grupe të dobëta, por as të forta. Që do të thotë se nuk janë krejtësisht të pakalueshme edhe pse përballë do të kemi skuadra të forta si Portugalia, Izraeli, Hungaria dhe Greqia. Realisht grupi është i fortë dhe i vështirë. Gjatë edicionit të kaluar gradualisht u rritëm dhe arritëm të fitonim dy ndeshje në fushë të huaj, ndaj Hungarisë dhe Austrisë.”
“Dhe treguam që mund të bëjmë gjëra të mira dhe atëherë kur të tjerët nuk na quajnë favorit, – ka vijuar ai. – Kemi bërë formimin e grupit, ndërsa zhvilluam dhe një mini-fazë përgatitore në Turqi, e shoqëruar dhe me tre ndeshje miqësore. Jo të gjithë na erdhën, kjo dhe për shkak se klubet nuk i lanë të lirë lojtarët në kushte kur nuk ishin data zyrtare.”
“Do të bëjmë dhe një tjetër grumbullim me lojtarët kandidatë nga Kategoria Superiore dhe Kategoria e Parë, – ka vijuar trajneri i Shpresave të Shqipërisë. – Ne shpresojmë që rezultatet në këto eliminatore të jenë pozitive”.
Kalendari i Shqipërisë së Nën-21-vjeçarëve
në Eliminatoret e Evropianit 2017
30 mars 2015 Lihteshtejn – Shqipëri
3 shtator 2015 Shqipëri – Izrael
8 shtator 2015 Shqipëri – Portugali
13 tetor 2015 Hungari – Shqipëri
12 nëntor 2015 Portugali – Shqipëri
16 nëntor 2015 Shqipëri – Lihtenshtejn
24 mars 2016 Shqipëri – Greqi
28 mars 2016 Shqipëri – Hungari
2 shtator 2016 Greqi – Shqipëri
10 tetor 2016 Izrael – Shqipëri
Shënim: Datat e lira për ndeshje miqësore për Kombëtaren e Nën-21-vjeçarëve: 8-16 qershor 2015