AlbanianSport.com 12.02.2016 08:45
ASNN – Kupa e Shqipërisë për Nën-19-vjeçarët u fitua nga Partizani, pasi mundi rivalin e përjetshëm, Tiranën me rezultatin 2-1. Golat për të kuqtë e drejtuar nga trajneri Genci Tomori u shënuan nga Vllaçaj dhe Bajramaj, ndërsa për bardheblutë e Astrit Hafizit shënues ishte Prendi.
Futbollisti më i mirë i sfidës ishte kapiteni i Partizani, Jurgen Bardhi. Bë fakt, fitorja e Kupës për 19-vjeçarët i sjell Partizanit shpresë, pasi talentet, siç është edhe Bardhi, pritet ta ndihmojnë ekipin e parë. Natyrisht që nuk ka më bukur se të fitosh një trofe në një derbi, por triumfi i djeshëm shkon përtej këtij trofeu.
Futbollistët e rinj të Partizanit ia dolën t’i shtonin sukseseve të tyre edhe Kupën e Shqipërisë, pas titullit “kampion”. Klubi dhe tifozët ndjenë kënaqësinë e triumfit, por presin që nga talentet që po dalin në ekipet e moshave, të përfitojë edhe skuadra e parë, që, hëpërhë, që është përfshirë në garën për titull me Skënderbeun.
Një nga shënuesit e golave në finalen e kategorisë së grupmoshës deri në 19 vjeç ishte Olgers Vllaçaj. Një klub nuk i ka skuadrat e moshave thjesht për të fituar trofe, ndonëse edhe kjo vlen. Ulja e shpenzimeve dhe rritja e fitimeve arrihen nga talentet që kalojnë në futbollin e madh.
Finalja e Kupës së Shqipërisë U19, nuk kaloi pa probleme. Para fillimit të kësaj përballje pati probleme mes tifozerive në stadiumin “Qemal Stafa”. Sende të forta janë hedhur në tribuna, duke krijuar një situatë të pazakontë edhe për një ndeshje mes ekipeve të para. Më pas situata është qetësuar dhe derbi nisi me vonesë. Pritet që këto incidente të merren në shqyrtim nga Komisioni i Disiplinës.