AlbanianSport.com 21/02/2022 18:25
ASNN – Lojtarët e Kombëtares së Nën-19-vjeçarëve, të cilët aktivizohet në klubet e kampionatit shqiptar, janë ftuar nga trajneri Armando Cungu në një përzgjedhje që do të zhvillohet ditën e enjte në Qendrën e Ekipeve Kombëtare në Kamëz. Trajneri kuqezi pritet të ketë në dispozicion lojtarë të vitlindjes 2004, të cilët kanë qenë edhe në grumbullime të mëparshme, por edhe që vijnë nga ekipet Kombëtare të moshave më të vogla.
Sipas shkodranit, do të shikohet edhe mundësi për të pasur në përzgjedhje ndonjë element që aktivizohet jashtë, por kjo mbetet për t’u parë nëse klubet i lejojnë që të jenë pjesë e këtij grumbullimi. Për trajnerin Cungu, këto seleksionime janë teste mjaft të mira për lojtarët dhe për stafin teknik në mënyrë që të bëhen vlerësime të përditësuara për nivelin ku ndodhen lojtarët e kësaj grupmoshe.
“Ne po përpiqemi të shfrytëzojmë çdo datë e mundësi për të pasur lojtarët, të paktën ata të kampionatit shqiptar, për t’i testuar, vëzhguar dhe për të vlerësuar ecurinë e tyre si edhe gjendjen momentale, – ka thënë ai. – Sigurisht, jemi të hapur për të pasur në seleksionim edhe ndonjë element interesant nga jashtë, kuptohet nëse kanë mundësi të marrin leje nga klubet dhe të jenë të gatshëm t’i bashkohen grupit.”
“Do të jenë rreth 48 lojtarë të vitlindjes 2004 të ftuar, – ka vijuar trajneri kuqezi. -Shpresoj të marrim maksimumin nga përzgjedhje të tilla, sepse vërtetë janë shumë të vlefshme për të konsoliduar grupin dhe për t’u dhënë mundësinë elementeve të reja që të tregojnë cilësitë e tyre. Përtej përzgjedhjeve, ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë futbollistët që janë në listën e madhe, duke i monitoruar javë pas jave dhe duke ndjekur zhvillimin e tyre si futbollistë.”
Përveç testeve fizike e taktike, në këtë përzgjedhje do të zhvillohet edhe një ndeshje kontrolli brenda grupit. Kjo është përzgjedhja e parë për këtë vit e Kombëtares së Nën-19-vjeçarëve, ndërkohë që përzgjedhje të ngjashme kanë zhvilluar edhe ekipet Kombëtare të Nën-15, Nën-16, Nën-17 dhe Nën-18-vjeçarëve.