AlbanianSport.com 16/03/2021 22:25
ASNN – Ekipi kombëtar i Nën-19-vjeçarëve në futboll do të zhvillojë të mërkurën, më datë 17 mars 2021, një përzgjedhje 1-ditore, ku do të jenë të ftuar 25 lojtarë të cilët aktivizohen me klubet e kampionatit shqiptar. Përzgjedhja do të zhvillohet në Qendrën e Ekipeve Kombëtare të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) në Kamëz dhe do të drejtohet nga trajneri i këtij ekipit kombëtar, Armando Cungu.
Lojtarët e thirrur janë të vitlindjes 2003 dhe aktivizohen në kampionatin shqiptar të grupmoshës së Nën-19-vjeçarëve. Synimi i kësaj përzgjedhjeje është vëzhgimi nga afër i elementëve të talentuar të kësaj grupmoshe, që militojnë në kampionatin shqiptar e që mund të jenë të vlefshëm për ekipet kuqezi zinxhir. Përveç testeve fizike e taktike, në këtë përzgjedhje do të zhvillohet edhe një ndeshje kontrolli.
Aty, ku futbollistët e rinj do të kenë mundësi të tregojnë vlerat e tyre në fushën e blertë. Kjo është hera e dytë për këtë vit që ekipi Kombëtar i Nën-19-vjeçarëve po zhvillon një përzgjedhje, teksa i pari u zhvillua në muajin shkurt dhe zgjati 3 ditë. Në të parën, grupit mundën t’i bashkoheshin edhe disa lojtarë, të cilët aktivizohen në klube të huaja, ndërsa në këtë përzgjedhje njëditore do të jenë vetëm lojtarë që aktivizohen në Shqipëri.
Në këtë mënyrë stafi teknik do t’u japë mundësi edhe më shumë lojtarëve të rinj që të mund të kandidojnë për një vend në ekipet kombëtare.