AlbanianSport.com 08.10.2016 10:40
ASNN – Shqipëria e Nën-19-vjeçarëve luan sot ndeshjen e dytë të saj në kuadër të grupit të 4-t eliminator të kësaj grupmoshe dhe përballë kuqezinjve të drejtuar nga trajnerët Arjan Bellai dhe Sulejman Demollari do të jetë Gjermania. Këtë takim, që do të luhet në Stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet, do të keni mundësi ta ndiqni drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar.
Të enjten kanë nisur edhe ndeshjet e grupit të 4 Eliminator të Evropianit të Nën-19-vjeçarëve, ku Shqipëria është vendi organizator. Siç dihet, ndeshjet do të luhen në Tiranë dhe Durrës, përkatësisht në Stadiumin “Selman Stërmasi” dhe “Niko Dovana”. Skuadrat që bëjnë pjesë në grupin eliminator janë Gjermania, Republika e Irlandës, Gjibraltari dhe Shqipëria.
Ekipi kombëtar i Nën-19-vjeçarëve, që drejtohet nga trajnerët Arjan Bellai dhe Sulejman Demollari, është mundur në ndeshjen e parë, përballë Irlandës, duke u ndëshkuar nga një 11-metërsh i akorduar për miqtë në pjesën e parë. Ndërkohë, sot pasdite, duke nisur nga 14:00, Shqipëria e Nën-19-vjeçarëve do të përballet me skuadrën më të fortë të grupit, Gjermaninë, e cila, në ndeshjen e parë, mundi thellë Gjibraltarin 5-0.
Sikundër ndeshjen e parë, edhe këtë takim do të keni mundësi ta ndiqni drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar. Ndeshja Shqipëri-Gjermani do të luhet në Stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet, ndërsa takimi i fundit në grupin e 4-t për Nën-19-vjeçarët kuqezinj është ai i 11 tetorit 2016 me Gjibraltarin po në kryeqytet.