AlbanianSport.com 08.10.2016 16:55
ASNN – Shqipëria e Nën-19-vjeçarëve ka luajtur sot ndeshjen e dytë të saj në kuadër të grupit të 4-t eliminator të kësaj grupmoshe dhe kuqezinjtë e drejtuar nga trajnerët Arjan Bellai dhe Sulejman Demollari janë mundur me rezultatin 2-3 nga Gjermania. Ky takim, që u luajt në Stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet, patët mundësi ta ndiqni drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar.
Grupi i 4-t Eliminator të Evropianit të Nën-19-vjeçarëve, ku Shqipëria është vendi organizator, i kanë nisur të enjten dhe sot janë luajtur ndeshjet e dyta. Siç dihet, ndeshjet po luhen në Tiranë dhe Durrës, përkatësisht në Stadiumin “Selman Stërmasi” dhe “Niko Dovana”. Skuadrat që bëjnë pjesë në grupin eliminator janë Gjermania, Republika e Irlandës, Gjibraltari dhe Shqipëria.
Pasi ishte mundur në ndeshjen e parë përballë Irlandës, ekipi kombëtar i Nën-19-vjeçarëve, që drejtohet nga trajnerët Arjan Bellai dhe Sulejman Demollari, është mundur edhe në ndeshjen e dytë nga Gjermania. Ka qenë një ndeshje me dy fytyra, pasi pjesën e parë kanë dominuar gjermanët, të cilët kanë shënuar 3 herë, në minutën e 8-të, të 33-të dhe të parë shtesë, përkatësisht me autorë Kohlertin, Shipnoskin dhe Bakun.
Ndërsa pjesa e dytë ka qenë mjaft e mirë për kuqezinjtë, të cilët kanë gjetur dy herë rrugën e rrjetës, me të njëjtin autor Zekën, që tregohet fillimisht i saktë nga pika e bardhë në minutën e 78-të dhe, në minutën e dytë shtesë depërton me sukses dhe mposht portierin gjerman. Por ishte shumë vonë për të shmagur humbjen dhe Gjermania fiton me rezultatin 3-2.
Sikundër ndeshjen e parë, edhe këtë takim patët mundësi ta ndiqni drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, ashtu siç do të ndodhë edhe me takimin e fundit në grup, që për Nën-19-vjeçarët kuqezinj është ai i 11 tetorit 2016 me Gjibraltarin po në kryeqytet.