AlbanianSport.com 03.03.2017 14:35
ASNN – Kombëtarja e Nën-19-vjeçarëve të Shqipërisë është shpallur fituese e turneut “Roma Caput Mundi” që u zhvillua në kryeqytetin italian. Në finalen e këtij viti, skuadra e drejtuar nga trajneri i ri, Erjon Bogdani, mposhti Rumaninë me rezultatin e pastër 2-0, duke marrë hakun ndaj humbjes në finalen një viti më parë.
Nën-19-vjeçarët shqiptarë u shfaqën superiorë ndaj bashkëmoshatarëve të tyre në këtë ndeshje duke e dominuar atë. Çela i dha epërsinë Kombëtares kuqezi në pjesën e parë, ndërkohë që, në atë të dytën, ishte Metolli ai që fiksoi fitoren e kuqezinjve të vegjël në shifrat 2-0.
Në rrugëtimin e saj drejt fitore së këtij turneu, Kombëtarja e Nën-19-vjeçarëve të Shqipërisë kishte mundur më parë Maltën, me rezultatin 2-1 dhe Anglinë, me rezultatin 2-0, ndërkohë që skuadrën amatore të Italisë, pas barazimit 0-0 në kohën e rregullt, e eliminoi me shifrat 4-2 pas goditjeve nga pika e bardhë e 11-metërshave.