AlbanianSport.com 28/03/2022 14:10
ASNN – Shqipëria e Nën-19-vjeçarëve ka zhvilluar këtë të hënë ndeshjen e dytë vëllazërore ndaj bashkëmoshatarëve të Kosovës ku ka barazuar me rezultatin 2-2. Në ndeshjen e luajtur në Stadiumin “Arena Egnatia”, skuadra e drejtuar nga trajneri Armando Cungu zbriti në fushë me këtë formacion: Dema, Kurti, Abazaj, Azizi, Taleb, Topi, Shkurti, Daka, Lika, Torraj, Toma. Në pjesën e parë të lojës, skuadrat ishin thuajse të barabarta, pa shumë raste shënimi. Në minutën e 32-të, Enea Topi provon të rrezikojë portën kundërshtare me një goditje qendrore nga jashtë zone, por topi përfundon në duart e portierit Shala.
Tetë minuta më vonë, Kosova kalon në epërsi me Rinor Jahmurataj, i cili përfiton nga një rrëmujë në zonë duke e dërguar topin fluturimthi në trekëndësh. Me këtë rezultat mbyllet 45-minutëshi i parë i ndeshjes, teksa me nisjen e pjesës së dytë, Armando Cungu vendos të bëjë 3 zëvendësime, duke nisur që nga porta, me gardianin Dema që i lë vendin Ortelio Bibës, teksa dalin nga loja edhe Ardit Lika e Khalil Taleb e në fushë hyjnë Gjergji Kote e Kristos Betezelis. Në këtë pjesë të dytë, Shqipëria bëhet më këmbëngulëse teksa kërkon golin e barazimit.
Dhe ai erdhi në minutën e 51-të nga Rrok Toma, pas një ekzekutimi fluturimthi perfekt të topit, që i shpëton mbrojtjes kundërshtare dhe përfundon në krahun e djathtë të portës. Kuqezinjtë vijojnë të kërkojnë golin e epërsisë, duke e gjetur në minutën e 59-të me Dario Dakën, përmes një 11-metërshi të dhënë nga gjyqtari i ndeshjes, pas prekjes me dorë nga ana e lojtarëve të Kosovës. 4 minuta më vonë, Rashica barazon rezultatin, duke i ikur mbrojtjes kuqezi dhe nuk gabon përballë portierit Biba.
Cungu bën edhe 3 zevendësime të tjera, teksa në minutën e 65-të, Toma e Shkurti i lënë vendin Tozajt e Ndocit, teksa del edhe Daka për Zabelin. Në minutën e 90-të, Torraj tenton të provojë vetë, por topi përfundon jashtë dhe me barazimin 2-2 mbyllet në “paqe” kjo ndeshje vëllazërore mes Shqipërisë e Kosovës. Me këtë miqësore të dytë brenda dy ditësh ndaj Kosovës, Shqipëria mbylli edhe grumbullimin një javor që i ka shërbyer Armando Cungut dhe stafit kuqezi të shohë skuadrën në kuadër të përgatitjeve për turneun eliminator, që do të zhvillohet në muajin shtator në Belgjikë ku Shqipëria e Nën-19-vjeçarëve do të luajë ndaj vendasve, Spanjës dhe Rusisë.
Nën-19-vjeçarët
Shqipëri – Kosovë 2-2
Shënues: Toma 51’, Daka 59’/ Jahmurataj 40’, Rashica 63’
Shqipëria: Dema (Biba 45’), Kurti, Abazaj, Azizi, Taleb (Betezelis 45’), Topi, Shkurti (Ndoci 65’), Daka (Zabeli), Lika (Kote 45’), Torraj, Toma (Tozaj 65’)
Kosova: Shala, Bajraktari, Avdimetaj, Kadriu, Ajeti, Mehmeti, Maloku, Bruti, Jahmurataj, Sadriu, Rashica