AlbanianSport.com 07.01.2015 21:55
ASNN – Pasi ishte mundur 1-3 në fund të dhjetorit në Itali, përfaqësuesja shqiptare e futbollit për Nën-19-vjeçarët është mundur edhe të mërkurën nga bashkëmoshatarët italianë. Në ndeshjen e zhvilluar në “Elbasan Arena”, kuqezinjtë kanë humbur me rezultatin 1-2, por trajneri Lala është shprehur i kënaqur me paraqitjen e lojtarëve të tij. Kombëtarja shqiptare e Nën-19-vjeçarëve është mundur nga homologia italiane në takimin që u luajt të mërkurën dje në “Elbasan Arena”.
Në prani të më shumë se 2,500 spektatorëve, ka qenë një lojë e bukur dhe me ritëm nga të dyja kampet, ku me pak fat tanët edhe mund të kishin dalë me një barazim nga kjo sfidë. Goli i vetëm i Manajt me 11-metërsh ishte i pamjaftueshëm përballë atyre të Bifulkos dhe Dalmontes. Ndonëse u mundën, në tërësi mund të konsiderohet një përballje pozitive, kjo për djemtë e Altin Lalës, të cilët nuk kanë shumë kohë që stërviten bashkë.
Italianët do të kalojnë në epërsi në minutën e 25-të me anë të Bifulcos që godet brenda zonës shqiptare dhe tokazi e dërgon topin në rrjetë. Në minutën e 39-tën, miqtë fitojnë një 11-metërsh me anë të Minellit, godet vetë, por grushton mrekullisht Kastrati, duke e mbyllur pjesën e parë në shifrat 0-1 për italianët. Në të dytën ka shumë zëvendësime nga të dyja kahet dhe djemtë e Lalës hyjnë më të vendosur në fushën e lojës, me dëshirën për të barazuar shifrat.
Në të 71-tën, është futbollisti më i spikatur kuqezi, Manaj, protagonisti që fiton një 11-metërsh dhe shënon po vetë. Festë te të pranishmit në “Elbasan Arena”, por edhe në kampin kuq e zi në fushë. Megjithatë, festa nuk zgjat shumë, sepse 7 minuta më pas Dalmonte do të kalonte në epërsi Italinë, ku i vetëm në zonë nuk e ka të vështirë të ndëshkojë tanët. Megjithëse portieri mik del me të kuq, italianët e mbrojnë fitoren, ndërsa trajneri Lala është shprehur i kënaqur me paraqitjen e lojtarëve të tij.